Aplikacion
Sipas news 24 55-vjeçari jetonte i vetëm pasi nuk ishte i martuar dhe ishte edhe i papunë. Ka qenë pikërisht motra, nënshtetase gjermane që për çdo muaj i dërgonte të vëllait 300 euro për ta ndihmuar me shpenzimet e përditshme.
Sakaq mësohet se Diana Vukaj kishte një javë që kishte ardhur nga Gjermania për pushime në Shkodër. Gjatë kësaj kohe 58-vjeçarja ka bërë disa porosi përmes një mike të saj për të mobiluar një shtëpi pushimi që kishte në plazhin e Velipojës.
Viktima ka bërë afro 4 mijë euro porosi orendi shtëpiake për banesën në Velipojë ndërsa ka dashur që të mobilojë me orendi të reja edhe shtëpinë ku jetonte i vëllai që e vrau. Pak ditë më parë autori i dyshuar i vrasjes ka telefonuar kompaninë ku motra e tij kishte bërë porosinë e mobiljeve duke lëshuar një lumë sharjesh ndaj tyre. Sipas dyshimeve 55-vjeçari i ka kërkuar që këto para motra t’ia jepte atij duke mos qenë dakord me blerjet e orendive. Dyshohet se ky ka qenë shkaku që vëlla e motër kanë debatuar në banesë mbrëmjen e 5 qershorit gjë e cila ka përfunduar me vrasjen tragjike të 58-vjeçares.
Autori i dyshuar ka telefonuar sërish kompaninë e mobiljeve dhe orendive duke i thënë:“a doni me fol me motrën time, nuk keni ku ta merrni, s’keni shans të flisni më me të”, duke nënkuptuar se e kishte vrarë.
Pas vrasjes gjatë të shtunës por edhe të dielës sërish nën efektin e alkoolit shtetasi Fabian Vuka ka dalë në lagje duke i thënë fqinjëve: “kam vrarë motrën, e kam në shtëpi të vdekur”. Pavarësisht këtyre fjalëve askush nuk e ka marrë seriozisht duke ditur gjendjen e tij të dehur dhe duke e njohur si person jo shumë të qëndrueshëm për shkak të alkoolit që konsumonte gjithë kohën.
Ka qenë një mike e viktimës që jeton në Shkodër që pasi e ka telefonuar disa herë ka ngritur dyshime dhe ka telefonuar policinë duke i thënë se kishte frikë se diçka mund të kishte ndodhur.
Diana Vuka edhe në nëntor të vitit të kaluar ka rrezikuar të vritej nga vëllai i saj dhe ka telefonuar miken duke i thënë “eja se Fabian ka bërë planin për të më vrarë”. Edhe në atë kohë ka ndërhyrë policia duke e qetësuar situatën. Ndërkohë edhe para afro 3 viteve 55-vjeçari e ka rrahur motrën e tij e cila fillimisht ka bërë denoncim në polici por më pas e ka tërhequr. Sot më 7 qershor Diana Vuka do festonte 58-vjetorin por tre ditë më parë vëllai i saj i mori jetën.
Fabian Vuka u arrestua brenda oborrit të shtëpisë ndërsa policia ka gjetur edhe armën e krimit tip pistoletë me silenciator me të cilën kreu vrasjen, gëzhoja si dhe disa prova të tjera. Fakti që e ka qëlluar me nje pistoletë me silenciator ka bërë që komshinjtë të mos dëgjojnë asgjë ndaj edhe viktima ka qëndruar dy ditë e pajetë në shtëpi
Ngjarja e rëndë që tronditi Shkodrën ka ndodhur në lagjen “3 heronjtë”, pranë shkollës “Ndoc Mazi” në Shkodër. Ndërkohë policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të krimit të rëndë./Opinion.al