zoom

Aktualitet

E bullizoi si “sakat”, Gjykata lë në burg infermierin që tentoi të shtypte kolegen dhe të birin

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg”, për të ndaluarin Mersin Mlloja, nga Kosmaçi i bashkisë Vau Dejës.

38-vjeçari sipas policisë vendore të Shkodrës, tentoi të vriste nënë e bir për motive të dobëta, duke i përplasur me automjet në korsinë e dedikuar për këmbësorë.

Ngjarja ndodhi më 15 mars, rreth orës 13:40. Mersin Mlloja punonte si infermier, ndërsa po ashtu edhe shtetasja Dave Ndoja, 60 vjeçe, me të cilën ka pasur konfliktin, po ashtu është infermiere në një tjetër qendër shëndetësore në Vau Dejës.

Avokati mbrojtës i 38-vjeçarit, Besmir Kolçe, kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, për shkak se kur shtetasi Mersin Mlloja afrohet tek shtetasja Dave Ndoja dhe djali i saj Kristjan Ndoja, ka frenuar duke ulur pothuajse plotësisht shpejtësinë.

Po ashtu nënë e bir kanë marrë dëmtime të lehta dhe që në momentin e parë kanë qenë jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu pala mbrojtëse deklaroi se ky veprim ka ardhur në kushte psikologjike të ngarkuara, për shkak të bullizimit që 60-vjeçarja i ka bërë kolegut të saj, gjatë një trajnimi për infermierët në Bushat të Vau Dejës.

Sipas avokatit, por edhe nga deklarimet e vetë 38-vjeçarit, shtetasja Dave Ndoja i është drejtuar kolegut të saj duke i thënë se: “Ti je për në kosh të mbeturinave. Ku di gjë ti, je sakat”.

Këto fyerje nga 60-vjeçarja kanë ardhur për shkak të një problemi fizik që Mersin Mlloja ka me njërën prej këmbëve. 38-vjeçari pasi është bullizuar dhe fyer disa herë nga kolegia e tij, ndaj ka ndërmarrë atë veprim me automjet, pak pas mbledhjes së infermierëve, por duke mos i shkaktuar dëme të rënda.

Pavarësisht pretendimeve të palës mbrojtëse, prokurori Ledion Teme kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa gjyqtarja Egla Mirashi pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke e lënë në paraburgim 38 vjeçarin Mersin Mlloja. Ky i fundit është i dyshuar për veprën penale “vrasja me dashje” mbetur në tentativë. /ZOOM.AL/