zoom

Bota

“E bëri Izraeli”/ Hakerat shpërthejnë mijëra celularë të Hezbollahut njëkohësisht

Grupi militant i Libanit Hezbollahu është shënjestruar nga një sulm i pazakontë këtë të martë, i cili ka lënë të paktën 8 persona të vdekur dhe mijëra të plagosur.

Sot në mesditë mijëra pajisje gjurmimi dhe komunikimi që përdornin anëtarë të grupit të Hezbollahut shpërthyen njëkohësisht në Bejrut dhe Damask të Sirisë.

Mediat raportojnë se shpërthimet u shkaktuan nga një sulm i hakerave izraelitë në rrjetet e komunikimit të brendshëm të Hezbollahut.

Një funksionar i Hezbollahut deklaroi për media se ekzistojnë dyshime për sasi eksplozivi që kanë shkaktuar shpërthimin e tyre.  Shumë pjesëtarë të organizatës e kanë kuptuar tejnxehjen e pajisjeve dhe i kanë larguar ato përpara se të shpërthenin.

Grupi i Hezbollah ishte furnizuar së fundmi me pajisjet e komunikimit dhe dyshohet se shërbime sekrete izraelite i kishin manipuluar, duke vendosur brenda secilës një sasi eksplozivi, të cilën e kanë aktivizuar njëkohësisht nëpërmjet një mesazhi që ka mbërritur njëkohësisht në të gjitha pajisjet.

Hezbollahu ka akuzuar Izraelin si përgjegjësin e këtij sulmi, dhe ka paralajmëruar se do të hakmerret.