zoom

Aktualitet

Dyshohen si grup grabitjesh me armë, arrestohet djali, në kërkim babai. Çfarë gjeti Policia (EMRAT)

Një familje dyshohet si pjesë e një grupi vjedhjesh e grabitjesh në Laç.

Një 25-vjeçar është arrestuar paraditen e sotme në Kurbin, ndërsa është shpallur në kërkim babai i tij 48 vjeç. Në pranga ka rënë shtetasi Geri Lika ndërsa në kërkim është shpallur Zyhdi Lika.

Gjatë kontrollit të policisë në banesën e tyre, u gjetën dhe sekuestruan disa armë zjarri si dhe bizhuteri të dyshuar si të vjedhura, gjatë operacionit “Sundimi i Ligjit”.

Policia vendore tha se aksioni u kodua “Gold and Guns” (Ar dhe para), në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (Njësia Shkodër).

U sekuestruan gjithashtu armë zjarri, dylbi për snajper, bizhuteri e sende të tjera të kundërligjshme.

“Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në inteligjencën policore dhe pas një pune hetimore të ndjekur me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë, organizuan dhe finalizuan me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë (Njësia Shkodër), operacionin policor të koduar “Gold and Guns”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi G. L., 25 vjeç, si dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi Z. L., 48 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

-2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak;
-1 armë gjahu teke (Berreta) dhe një sasi fishekësh për armë gjahu;
-1 palë dylbi si ato të armës së zjarrit snajper;
-Një sasi bizhuterish të dyshuara të vjedhura;
-2 palë dylbi, 2 automjete dhe 2 targa franceze të dyshuara të vjedhura.

Dosja për aksionin i kaloi Prokurorisë, teksa po verifikohen ngjarjet kriminale ku kanë marrë pjesë. /ZOOM.AL/