zoom

Lajme

Dyshimet për korrupsion, arrestohet gjyqtari i Gjykatës Supreme në Maqedoni. Emri dhe detajet

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’ia heqë imunitetin një gjykatësi të Gjykatës Supreme, i cili u arrestua të hënën mbrëma nën dyshimin se kishte marrë rreth 10.000 euro ryshfet.

“Gjyqtari është privuar nga liria gjatë kryerjes së veprës penale”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut (MPB ) në një komunikatë.

Sipas Policisë, gjykatësi Naqe Georgiev dyshohet për veprën penale “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”. Ai dyshohet se kishte premtuar masa lehtësuese në një procedurë gjyqësore ndaj ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, i cili kohë më parë u arrestua për kontrabandë me lëndë narkotike. Këshilli Gjyqësor – që është organi më i lartë gjyqësor për emërimin dhe vlerësimin e punës së gjykatësve – ia hoqi imunitetin Georgievit dhe e miratoi kërkesën për futjen e tij në paraburgim.

“Këshilli Gjyqësor i hoqi imunitetin gjyqtarit të Gjykatës Supreme të RSM-së, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale; aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit dhe e largoi përkohësisht gjyqtarin e Gjykatës Supreme nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, deri në përfundim të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.

Arrestimi i gjykatësit të Supremes ndodhi në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me kritika të shumta për gjyqësor të korruptuar dhe joefikas. Përbërja aktuale e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, më 6 shtator 2023 kishte miratuar ndryshimet në Kodin Penal që çuan në lirimin nga ndjekja penale si dhe uljen e dënimit të dhjetëra ish zyrtarëve të lartë të akuzuar për vepra të rënda penale. Sipas hulumtimit të opinionit Publik nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), vetëm një për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim në pushtetin gjyqësor. /ZOOM.AL/