Aplikacion
Në një denoncim publik, një qytetar (identiteti mbetet anonim për çështje privatësie) shpjegon se si Raiffeisen e nxjerr atë debitor për shkak të veprimeve të pakujdesshme në llogarinë e pagës së tij.
Më tej, qytetari thotë se banka tregtare, e dyta më e madhja në vend nuk ka pranuar përgjegjësinë për veprimet e paautorizuara, për dëmin dhe për mosinformimin e klientit të saj, i cili paguan rregullisht shërbimet e Raiffeisen.
Qytetari ka shtuar në denoncimin e tij edhe shpjegimin e juristëve për skenarët e mundshëm të kësaj situate, por asnjëra nga ato nuk i përshtatet rastit. Ai thekson se nuk është debitor i asnjë produkti bankar apo ndonjë detyrim të një lloji tjetër, të lidhur me llogarinë në Raiffeisen, që e ka vetëm për derdhjen e pagës.
FOTOT
Denoncimi i plotë:
Më datë 26 Dhjetor, më vjen njoftimi nga app i “Raiffeisen Bank” se në llogari ka kaluar shpërblimi për muajin dhjetor (siç tregohet edhe në fotot bashkangjitur) dhe sigurisht që, kur nuk ke burime të tjera të ardhurash, mezi e pret. Kështu që shkova i tërhoqa.
Çfarë ndodh? Pas 2 orësh më telefonojnë nga financa e punës dhe më thonë “është kaluar gabim dhe duhet ti kthesh”. “Ok”, i them, “do vij dhe do flasim”.
Por punonjësja pa më pritur në takim, kontakton bankën dhe i thotë “pagë e kaluar gabim”, ndërkohë që nuk ishte pagë por shpërblim. Dhe banka pa asnjë njoftim, as me sms, as me telefon, as me e-mail, ndërhyn në llogari dhe e çon MINUS shumën që kisha tërhequr dhe pjesën që kisha lënë.
P.S për më tepër pas orarit zyrtar të punës.
Unë e kuptoj deri diku punën për gabimin, dhe çështja mund të zgjidhej mes nesh (edhe pse ishte gabim i tyre, jo i imi)! Por ndërhyrja e bankës direkt në llogari, që supozohet personale dhe për çdo lëvizje në të duhet të njoftohem, më duket ABSURDE! (edhe sipas juristëve që kam konsultuar)
Sepse nuk kam kredi në atë bankë, as overdraft dhe nuk ka as vendim gjykate dhe as përmbarimi. Edhe nëse do të kishte, llogaria do të bllokohej dhe nuk do të çohej MINUS.
Shpjegimi i juristëve:
“Një bankë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në llogarinë tuaj personale pa ju njoftuar më parë, përveçse në raste të caktuara të përcaktuara nga ligji ose marrëveshja që keni me bankën.
Ja disa raste kur kjo mund të ndodhë:
– Marrëveshje në kontratë: Nëse keni një marrëveshje kontraktuale që i lejon bankës të mbajë fonde nga llogaria juaj për pagesa, kredi apo detyrime të tjera financiare, banka mund të veprojë sipas kësaj marrëveshjeje.
– Urdhër i një gjykate: Nëse një autoritet ligjor urdhëron bllokimin ose tërheqjen e fondeve nga llogaria juaj (p.sh., për borxhe ose gjoba të papaguara), banka është e detyruar ta zbatojë atë.
– Mbajtja e komisioneve bankare: Banka mund të tërheqë tarifa ose komisione për shërbimet e ofruara, për sa kohë që kjo është e parashikuar në kontratë.
– Parandalimi i aktiviteteve të dyshimta: Në raste të veçanta, për të parandaluar pastrimin e parave ose aktivitete të paligjshme, banka mund të bllokojë përkohësisht fondet dhe t’ju njoftojë më pas”.
Asnjë prej rasteve të mësipërme nuk kanë lidhje me mua.
Kam që prej dhjetorit që i dërgoj e-mail bankës, edhe i kam telefonuar, për sqarime por asnjë përgjigje ende.
Për shkak të kësaj situate, kam anulluar pagesa të tjera që do duhej të më vinin në këtë llogari plus edhe problemet shëndetësore që më ka shkaktuar (ankth dhe shqetësim) pasi mu desh të bindja edhe familjarët që nga ana ime nuk ishte bërë asnjë veprim i padrejtë apo i fshehtë.
Edhe një herë! Çdokush që do të shihte në njoftim “Shpërblim dhjetori nga kompania”, do të tërhiqte shumën ndërsa nëse është bërë gabim nuk është aspak faji im. Dhe çdokush mban përgjegjësi për gabimet e tij.
Ndërsa marrëdhënien me punëdhënësin e rregulloja unë, jo banka! Kjo e fundit është mirëmbajtëse e llogarisë sime për të cilën paguhet çdo muaj dhe nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë pa lejen time, pa më njoftuar! Mbi të gjitha të heshtë sepse e ka kuptuar gabimin dhe nuk ka çfarë përgjigje të më japë!/Zoom.al
SPAK-u troket përsëri në dyert e bashkisë së Tiranës, komentojnë studiuesit e politikës