zoom

Lajme

Dy standardet e SPAK: Erion Veliaj përballë Sali Berishës, Ilir Metës e Arben Ahmetajt

Vendimet dhe veprimet e SPAK në raste të ndryshme po ngjallin dyshime për standarde të dyfishta në drejtësi, duke vënë në qendër të vëmendjes mënyrën se si trajtohen zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë, të akuzuar për korrupsion. Një rast i qartë i këtij fenomeni është trajtimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në krahasim me Sali Berishën, Ilir Metën dhe Arben Ahmetajn.

Rasti Veliaj: Hetime për akuza të rënda, por në liri

SPAK po heton Erion Veliajn për katër akuza serioze: korrupsion pasiv, korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Megjithatë, Veliaj vijon të jetë i lirë dhe të ushtrojë detyrën e tij si kryebashkiak. Ai lejohet të shkojë çdo ditë në punë, të firmosë dokumente zyrtare dhe të marrë vendime, edhe pse ka mundësi reale që kjo situatë të përdoret për të ndikuar në hetime, të prishë prova apo të kryejë veprime të tjera korruptive. Pikërisht për vendimet e marra ai është vënë nën hetim dhe është paradoksale që SPAK nuk ka kërkuar së paku pezullimin e ushtrimit të detyrës.

Në fakt, duke qenë ende në detyrë, Veliaj ka një avantazh të dukshëm që nuk u është ofruar të tjerëve në raste të ngjashme. Mundësia që ai të vazhdojë të firmosë shkresa zyrtare e vë atë në një pozicion ku korrupsioni mund të ndodhë sërish, duke rrezikuar integritetin e hetimeve.

Meta, Berisha dhe Ahmetaj: Trajtim më i ashpër me akuza më të lehta

Në kontrast të plotë me rastin e Veliajt, ish-Presidenti Ilir Meta u arrestua dhe u fut në burg me akuza më të lehta sesa ato që rëndojnë mbi Veliajn. Lideri i PD, Sali Berisha, gjithashtu, u vu në arrest shtëpie, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Është e rëndësishme të theksohet se as Meta, as Berisha dhe as Ahmetaj nuk mbanin detyra shtetërore në kohën e ngritjes së akuzave ndaj tyre dhe për këtë arsye nuk kishin asnjë mundësi praktike për të ndikuar në hetime apo për të prishur prova. Akuzat kundër tyre lidhen me periudha kur ata ishin në pozicione shtetërore vite më parë, çka e bën trajtimin e tyre edhe më të pabarabartë në krahasim me Veliajn.

Dy standardet që minojnë besimin në drejtësi

Ky trajtim i pabarabartë nga SPAK ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin dhe paanshmërinë e institucionit. Si mund të justifikohet fakti që një zyrtar aktiv si Veliaj, i akuzuar për katër vepra penale të rënda, të jetë i lirë dhe në pozicion për të ndikuar në hetime, ndërsa të tjerë me akuza më të lehta janë përballur me masa më të ashpra?

Me rastin Veliaj, SPAK rrezikon të hedhë në erë reformën në drejtësi, një prej iniciativave më të rëndësishme dhe më të mbështetura nga qytetarët shqiptarë dhe ndërkombëtarët. Trajtimi selektiv i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dëmton rëndë besimin e publikut tek institucionet e reja të drejtësisë dhe forcon perceptimin se drejtësia është ende e varur nga ndikimet politike dhe interesat personale.

Në një kohë kur Shqipëria synon të përforcojë sundimin e ligjit dhe të fitojë besimin e qytetarëve në sistemin e saj të drejtësisë, veprime të tilla jo vetëm që janë zhgënjyese, por mund të jenë edhe pengesa kryesore në këtë rrugë. /Zoom.al

Postime të lidhura