zoom

Bota

DW: Samiti i BE, një temë delikate e sërish një bllokadë

Praktikisht në çdo samit të muajve të fundit, 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së kanë diskutuar për kufizimin e imigracionit dhe kthimin e azilkërkuesve të refuzuar. Kjo temë është në fokus edhe në takimin e së enjtes (17.10.) në Bruksel.

As pakti i BE-së për azilin, i cili u miratua gjashtë muaj më parë, ende nuk i ka dhënë fund debatit. Duke pasur parasysh numrin në rritje të refugjatëve dhe rritjen e partive populiste të krahut të djathtë, shumë qeveri po bëjnë thirrje që të merren masa më shpejt ose veprime që shkojnë përtej rregulloreve të dakorduara. Disa anëtare të BE as nuk duan t’i përdorin këto rregulla të BE.

Qëndrime të ndryshme

Polonia psh. dëshiron të pezullojë përkohësisht të drejtën e azilit duke marrë shkak nga qëndrimi i Bjellorusisë dhe Rusisë, të cilat, sipas Varshavës, po kontrabandojnë në mënyrë të qëllimshme emigrantët në vend. Finlanda mbylli kufijtë e saj për emigrantët nga Rusia në korrik. Qeveria holandeze e ekstremit të djathtë ka kërkuar të tërhiqet tërësisht nga rregullat e BE-së për azilin. Hungaria po kërkon gjithashtu një të ashtuquajtur opt-out në Bruksel.

Pas sulmit islamik me thikë në Solingen disa javë më parë, qeveria gjermane vendosi kontrolle në kufijtë me fqinjët e saj të BE-së, disa prej të cilëve e kritikuan fqinjin. Berlini po ushtron presion edhe mbi Italinë dhe Greqinë për të rikthyer njerëzit që fillimisht hynë në BE atje, por më pas u zhvendosën në Gjermani.

Rregulla më të ashpra dëbimi

Ka shumë ndryshime aktualisht në politikën e migracionit të BE-së, por jo gjithmonë synohet një drejtim i përbashkët. Ujdia po shfaqet në kërkesën për rregulla më të rrepta të dëbimit. Shumica e vendeve anëtare, përfshirë Gjermaninë, po i bëjnë thirrje Komisionit të BE-së që të ushtrojë më shumë presion mbi qeveritë që nuk duan të marrin përsëri bashkatdhetarët e tyre.

Ndërkohë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar me një letër drejtuar 27 shteteve të BE-së. Ajo shprehet për një kuadër të ri ligjor për të përmirësuar aftësinë e BE-së për të vepruar. Vetëm rreth një e pesta e shtetasve të vendeve të treta, të cilëve iu kërkua të largoheshin nga vendi janë kthyer. Von der Leyen mbron përafrimin e procedurave të shteteve anëtare në mënyrë që migrantët pa të drejtë qëndrimi të mos mund të shfrytëzojnë boshllëqet në sistem

Italia si model?

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, vendet e BE duhet të mendojnë për ngritjen e qendrave të kthimit jashtë BE-së. Ajo i referohet bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë, ku do të përpunohen kërkesat për azil nga emigrantët që u kapën nga autoritetet italiane në Mesdhe në dy qendra pritjeje. Edhe “Modeli i Ruandës” po diskutohet, i cili nënkupton zhvendosjen e procedurave të azilit në Afrikë. Si mund të funksionojë kjo në praktikë dhe mbi çfarë baze ligjore mbetet e paqartë. Por shtete partnere për këtë model nuk janë shfaqur ende.

Ndihma për Ukrainën pavarësisht bllokadës së Hungarisë

Në samitin e BE-së këtë të enjte diskutohen gjithashtu pasojat e luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelenskyj do të prezantojë “planin e tij të fitores” në Bruksel. Ai mund të marrë me vete premtimin e një kredie prej 35 miliardë eurosh që BE vendosi javën e kaluar – ky është kontributi evropian në paketën e ndihmës së vendeve të G7-s, e cila arrin në 45 miliardë euro.

Kredia do të paguhet me të ardhura interesi nga pasuritë e ngrira të Bankës Qendrore Ruse. Megjithatë, Hungaria është kundër një zgjidhjeje që do të siguronte përdorim afatgjatë dhe të sigurt të fitimeve nga interesi dhe në këtë mënyrë po bllokon një pjesëmarrje të SHBA. Pasi Uashingtoni dëshiron të sigurojë që fondet ruse të destinuara për të shlyer kreditë të mbeten në fakt të ngrira dhe po i bën thirrje BE-së ta ndërpresë zgjatjen e sanksioneve ndaj Rusisë çdo gjashtë muaj, por ta zgjasë këtë periudhë në tre vjet.

Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme

Një vit pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, samiti i BE trajton të enjten edhe përkeqësimin e situatës në Lindjen e Mesme.  BE-ja ka vështirësi për të gjetur një pozicion të unifikuar në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme. Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, theksojnë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, ndërsa të tjera, si Spanja dhe Irlanda, vënë theksin më të madh tek kriza humanitare e popullatës civile palestineze në Rripin e Gazës./DW