zoom

Aktualitet

Durrësi dhe jugu në “black out” energjetik, OST tregon çfarë ka ndodhur dhe kur do rikthehen dritat

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) njoftoi se ndërprerja e sotme e energjisë elektrike në disa qytete të vendit ndodhi për shkak të stakimit të avarisë së linjës 220kV Tirana 2 – Rrazhbull.

Si pasojë, energjia u ndërpre në të gjitha nën-stacionet e rajoneve Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë, Kuçovë dhe Berat.

Pas rreth 30 minutash, OST arriti të rikthejë energjinë në nën-stacionet e këtyre rajoneve, megjithatë, rikthimi u realizua vetëm për fidrat e rëndësisë së veçantë, përfshirë spitalet dhe qendrat e qytetit.

Të gjithë konsumatorët e tjerë mbeten të prekur nga kufizime të thella në furnizimin me energji elektrike.

Gjithashtu, në orën 17:52, u raportua një ndërprerje e përkohshme e energjisë edhe në rajonin e Sarandës, e cila u rikthye sërish me kufizime.

Aktualisht, OST njofton se është duke realizuar një rivendosje graduale të energjisë në rajonet e mësipërme, për shkak të ngarkesës së lartë. Ky proces po kryhet në bashkëpunim me Dispeceritë Rajonale të Durrësit, Beratit, Fierit, Gjirokastrës dhe Vlorës, në përputhje me udhëzimet dhe hapësirat e nevojshme deri në rivendosjen e skemës normale të furnizimit.