zoom

Bota

Dritë jeshile nga Lindja e Mesme/ Fundi i luftës, shumë afër

Ndërmjetësit i kanë dhënë sot Izraelit dhe Hamasit një draft përfundimtar për një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Përparimi vjen pas bisedimeve mesnatën e kaluar, ku përveç palëve të përfshira në konflikt, morën pjesë edhe të dërguarit e presidentit amerikan Joe Biden si dhe të presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Një zyrtar ka thënë për mediat se teksti për armëpushim dhe lirimin e pengjeve u paraqit nga Katari për të dyja palët në bisedimet në Doha.
Sipas tij, 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për arritjen e rezultateve konkrete.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë punuar për më shumë se një vit për t’i dhënë fund luftës në Gaza, por deri më tani pa rezultat.
Zhvillimet e fundit vijnë përpara inaugurimit të Trump në 20 Janar, datë e cila po shihet si një afat që mund të ndryshojë thellësisht zhvillimet në rajon.

Pak ditë më parë Donald Trump paralajmëroi pasoja të rënda nëse pengjet që po mbahen nga Hamasi nuk lirohen deri kur ai të marrë detyrën.