Aplikacion
Në zonën ku është planifikuar projekti i Kushner-it është zbuluar vendi i parë neandertalian i dokumentuar në Shqipëri.
Zbulimi u bë nga një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe Inxhinierisë Gjeoteknike (CNR-IGAG) – dhe nga Departamenti i Studimeve Humanistike i Universitetit të Ferrarës (Itali), në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë Shqiptare.
Mbetjet gjenden në zonën Dalani i Vogël, në bregdetin Adriatik në zonën e Vlorës. Zbulimi përfaqëson një hap të rëndësishëm në studimin e Kuaternarit dhe në kuptimin e dinamikave të mbijetesës së Neandertalëve të fundit në Europë.
Me këtë zbulim ky vend do të shpallet zonë aerkoologjike, çka e bën të pamundur zhvillimin e saj për ndërtim. Në këtë mënyrë ajo do të pengonte edhe ndërtimin e projektit të Kushner dhe kompanisë së tij Affinity Partners.
Në projektin e propozuar të Kushner-it janë planifikuar 1000 vila plazhi dhe dhoma hoteli në Zvërnec.
Deri tani ky projekt, është bërë edhe objekt i disa mosmarrëveshjeve, duke nxitur pakënaqësi te pronarët e tokave.
Zbulimet arkeologjike
Dalani i Vogël, i ruajtur brenda depozitimeve lumore të ekspozuara nga erozioni detar, është identifikuar nga studiues vendas dhe iu nënshtrua hetimeve të thelluara falë një qasjeje ndërdisiplinore. Studimi, i publikuar së fundmi në revistën Quaternary Science Reviews, përfshinte analiza mikrobotanike, mikropaleontologjike, gjeologjike dhe arkeologjike. Të dhënat e mbledhura mundësuan rindërtimin e evolucionit mjedisor të zonës gjatë 40.000 viteve të fundit, duke zbuluar një panoramë të detajuar të kushteve klimatike dhe burimeve të disponueshme gjatë epokës kur Neandertalët populluan rajonin.
Falë metodës së datimit OSL (Lumineshencë e Stimuluar Optikisht), pra teknikës që përdoret për të përcaktuar moshën e materialeve sedimentare ose minerale që përmbajnë kokrra të ndjeshme ndaj dritës, depozitimi që përmbante vegla guri të copëtuara është daton pak më shumë se 40,000 vjet më parë. Analizat e polenit fosil kanë bërë të mundur identifikimin e një mjedisi të karakterizuar fillimisht nga bimësi e hapur, që evoluoi në një stepë në fund të glaciacionit të fundit. Ky kontekst mjedisor, i pasur me burime ushqimore, mund të ketë ofruar strehim për Neandertalët në Ballkanin jugor deri në zhdukjen e tyre përfundimtare nga Evropa.
Sipas Profesor Marco Peresani, koordinatori i kërkimeve pranë Departamentit të Studimeve Humanistike të Universitetit të Ferrarës, i ndihmuar nga Doktor Davide Delpiano, “Rëndësia e Dalanit të Vogël qëndron në faktin se është vendi i parë neandertalian në Shqipëri i dokumentuar, i datuar dhe i studiuar me metoda moderne dhe multidisiplinare.” Për më tepër, ky vend konfirmon se në Ballkanin jugor burimet ushqimore të vazhdueshme gjatë momenteve kritike të Pleistocenit kanë mbështetur grupet neandertaliane në një lloj zone strehimi.
Zbulimi është rezultat i më shumë se një dekade kërkimesh të kryera në kuadër të iniciativave të ndërkombëtarizimit të financuara nga Unife. Kërkimet, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Parahistorisë të Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Studimeve Shqiptare, kanë parë kontributin e rëndësishëm të Profesor Ilir Gjipali dhe Doktor Rudenc Ruka.
Kërkimet në vendin e Dalanit të Vogël do të vazhdojnë me gërmime të tjera arkeologjike dhe studime të thelluara mbi shpellat e jugut të Shqipërisë. Këto projekte premtojnë të zgjerojnë më tej njohuritë mbi rolin e Ballkanit si zonë strehimi për Neandertalët dhe mbi procesin e tranzicionit drejt ardhjes së sapiensëve të parë në Evropë.
Projekti i Kushner
Ai gjithashtu e quajti atë një “kanavacë të jashtëzakonshme” për ëndrrat e tij për zhvillimin e projekteve luksoze.
“Është një vend ku njerëzit do të donin të ishin,” tha Kushner.
Tani, Kushner po kërkon të shndërrojë këtë pjesë të Shqipërisë në një lloj resorti luksoz për të cilin ish-presidenti Donald Trump do të mburrej, shkruan ‘Washington Post’. Ky do të ishte projekti më i madh i Kushner deri tani, duke përdorur një pjesë të fondit të tij privat të kapitalit prej rreth 3 miliardë dollarë, i financuar kryesisht nga investitorë në Arabinë Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit, për të sjellë turizmin ndërkombëtar në një zonë që ngeci sa i takon zhvillimit për shkak komunizmit.
Por, projekti i planifikuar nga Kushner po përballet me reagime negative lokale dhe ndërkombëtare për shkak të mundësisë së dëmtimit të mjedisit. Grupet e ambientalistëve paralajmërojnë se ndërtimi i vilave mund të shkatërrojë habitatin për pelikanët, flamingot dhe disa specie të rrezikuara, si dhe të minojë përpjekjet ndërkombëtare për të ruajtur një nga ekosistemet e fundit të egra bregdetare në Mesdhe.
Sipas New York Times, në projektin e propozuar të Kushner janë planifikuar 1000 vila plazhi dhe dhoma hoteli në Zvërnec, ngjitur me Vlorën, qytetin e tretë më të madh të Shqipërisë, ku një aeroport i ri ndërkombëtar është tani në ndërtim dhe turizmi tashmë po lulëzon.
Media prestigjioze shkruante se vendi që Kushner ka identifikuar për projektin e tyre në Zvernec është objekt i disa prej këtyre mosmarrëveshjeve. Të dhënat tregojnë se pjesë të mëdha të tokës të propozuara tani për zhvillim nga zoti Kushner janë mbajtur nga familjet që jetonin në jug të zonës, në fshatin e vogël në Zvërnec, ku flitet greqisht dhe shqip dhe historia e të cilit mund të gjurmohet në shekullin e 6-të p.e.s.
Por pasi qeveria shqiptare nisi procesin e kthimit të tokave të sekuestruara, një zhvillues i pasurive të paluajtshme i quajtur Artur Shehu, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes së tij, ngritën pretendime për pronësinë. Shehut iu dha azil në Shtetet e Bashkuara dy dekada më parë dhe të dhënat e gjykatës tregojnë se jeton në Miami, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Fshatarët në Zvërnec, duke përfshirë familjen Konomi, javët e fundit kanë kontaktuar me Kushner për ta njoftuar me shkrim për pretendimin e tyre se ata zotërojnë tokën ku është planifikuar të ndërtohet hoteli luksoz dhe se nuk janë domosdoshmërisht të gatshëm të heqin dorë.
“Është shumë e qartë se një skemë e madhe korrupsioni po ndodh. Është thjesht e pabesueshme,” tha Konomi, një profesor i statistikave në Universitetin e Cincinnati, familja e të cilit ende viziton shpesh një shtëpi që ata kanë në zonë.
Kushner i është drejtuar një prej familjeve më të pasura të Shqipërisë, Shefqet Kastrati, një miliarder zhvillues i pasurive të paluajtshme dhe pronar i zinxhirit më të madh të pikave të karburantit në Shqipëri, për të ndihmuar me projektin në Zvërnec, shkruan NYT.
Kastrati Group ka lidhje të kahershme me kryeministrin Rama. Ai kontrollon disa kontrata fitimprurëse qeveritare, duke përfshirë aeroportin ndërkombëtar në kryeqytetin e Shqipërisë. Në intervista, drejtuesit e firmës së Kushner thanë se nuk kishin qenë në dijeni të mosmarrëveshjes së tokës.
“Ne jemi të sigurt se po punojmë me titullarët e ligjshëm. Nëse vërtetohet e kundërta, ne do të tërhiqemi nga blerja,” tha Abehsera në një deklaratë.
Toka bregdetare shqiptare është rrëmbyer vitet e fundit nga familje të tjera të fuqishme dhe të pasura, sipas Neritan Sejamini, një ish-këshilltar i zyrës së kryeministrit, i cili ka studiuar se si ligji i vitit 1991 synonte të kthente tokat e kohës komuniste është shfrytëzuar.
“Ligji është abuzuar në të mirë të të lidhurve politikisht ndonjëherë në kurriz të banorëve vendas,” tha Sejamini.
Një ligj i veçantë i miratuar në fillim të këtij viti gjithashtu lejon që projektet e hoteleve luksoze të ndërtohen në tokë të lënë mënjanë për të mbrojtur kafshët e egra dhe mjedisin e ndjeshëm. Thoma Kola, 81 vjeç, i cili jeton në Zvërnec, tha se kishte frikë se familja e tij mund të humbiste shpejt tokën në veri të fshatit.
“Ne nuk do të jemi në gjendje t’ua lëmë atë fëmijëve tanë,” tha ai. /Zoom.al