Aplikacion
Në ditën e katërt, refreni është bërë gati bajat, sepse Valiaj po e shet veten si shpëtimtar jetë njerëzish. Lexoni se çfarë tha sot:
“Para 4-5 ditësh ra tërmet në Tiranë, kurse para katër javësh prishëm pallatin e fundit, të dëmtuar nga tërmeti i kaluar, i cili u bë pikë e madhe diskutimi. E kam fjalën për Pallatin nr. 4, në rr. Myslym Keta, i cili siç e patë, me një të prekur të ekskavatorit, u shkërmoq i tëri. Po të kishim dëgjuar gjithologët, ata që nuk janë ekspertë, urbanistë apo arkitektë, ose po të kisha dëgjuar analistët, që thonë: “Kryetar, ty të duhen vota, pse e prish tani këtë pallatin? Bëje pas Vitit të Ri, merri ato vota dhe bëje pas zgjedhjeve të majit”, çfarë mendoni se do të kishte ndodhur pas tërmetit që ra javën e kaluar? Kush do ta kishte fajin, nëse njerëzit do të ishin ende aty? Kush do linçohej publikisht, si vrasësi i atyre njerëzve? Gjithologët?”
Zoom.al shkoi sot në vendin ku ngrihej pallati për të cilin flet Veliaj. Një nga shkallët e këtij pallati nuk është shembur ende. Si për ironi, kjo pjesë 5-katëshe qëndron në këmbë dhe e padëmtuar as nga tërmeti 5.2 i shkallës Rihter që ra të dielën.
Këto foto dhe video janë bërë nga Zoom.al këtë pasdite.
View this post on Instagram
Pamjet e Zoom.al janë përgjigjja më e mirë e pyetjes që bën Veliaj: “Kush do linçohej publikisht, si vrasësi i atyre njerëzve?”
Pallati i mbetur në këmbë është prova se nga ai tërmet s’do ishte dëmtuar askush, sikundër lëkundjet që e patën epiqendrën në Klos nuk dëmtuan asgjë në Tiranë.
Erion Veliaj mund të ketë pasur të drejtë në shembjen e pallatit, nëse ai ka qenë vërtet i pabanueshëm nga tërmeti i nëntorit 2019.
Por kur thotë se nëse nuk do ta kishte prishur, ai do ishte shembur nga tërmeti i kësaj të diele dhe do të kishte vrarë njerëz, ekzagjeron me dashje, me qëllimin për të përfituar politikisht e po ashtu edhe për t’i dhënë vetes të drejtë për vendimin e diskutueshmëm për shembjen e pallatit.
Duke mos kundërshtuar vendimin e ekspertëve, të cilët mbajnë përgjegjësi për vlerësimin e bërë, pamjet e Zoom.al dëshmojnë më së paku dramaticitetin e rremë dhe të panevojshëm të situatës nga Veliaj.
Banorët e pallatit e kanë akuzuar se ai e do tokën për t’ia dhënë ndonjërit prej klientëve të ndërtimit. Sipas tyre, Instituti i Ndërtimit e shpalli fillimisht të sigurt pallatin, por ata dyshojnë se me ndërhyrje nga bashkia, Instituti e ndryshoi vendimin.
Për t’i shkuar deri në fund heroizmit të tij në shpëtimin imagjinar të jetëve, Veliaj tha se pallati mezi qëndronte në këmbë, pasi ai u shemb me një të rënë të fadromës.
“Atëherë sot do të isha duke dhënë një intervistë tjetër për të mbajtur përgjegjësi për një pallat qe nuk u prish në kohë, por që u prish dhe e zuri tërmeti, ku siç e pamë dhe vetë, sapo e preku ekskavatori,”- tha Veliaj gjithashtu dje.
Por me logjikën e Veliajt, ashtu do duhet të ishte shembur edhe pjesa tjetër e pallatit të mbetur që nuk u dëmtua nga tërmeti i së dielës. Ashtu do shembeshin edhe mjaft pallate të tjerë të ndërtuara në kohën e komunizmit, nëse do të goditeshin nga fadromat në pikat kritike.
Por pjesa e pallatit që qëndron në këmbë, e padëmtuar nga tërmeti i së dielës, është provë se refreni i Veliajt stonon me relitetin. Ai po ashtu na tregon se kur “heronjtë” ia këndojnë vetë këngët vetes, zakonisht ato janë këngë vetëm për veshët e tyre dhe zhurmë e padurueshme për të tjerët…, edhe për ata që janë të detyruar ta dëgjojnë. /Zoom.al