Aplikacion
Lulaj i shpjegon në aplikacionin Sky ECC se është zbuluar nga RENEA vendi nga është realizuar qitja, llojin e armës e cila sipas tij ka qenë Sniper, me numër serie 338, realisht është kalibri i fishekut të përdorur, e cila ka si tipar dallues faktin që pas shkrepjes, gëzhoja nuk del automatikisht nga foleja e fishekut dhe në këtë rast është qëlluar vetëm një herë, duke lënë të kuptohet që sniper ka qenë armë jo automatike ose gjysmë automatike.
Marjus Lulaj i shkruan “…fat kurve…shpirt mace…ske ca thu…po sa her do e ndimoi fati…nje her do e braktisi…numri seris 338….shum e mir si arm…kush merr vesh na snajperi e kupton…po pra…e kan gjet vendin nga esh ber goditja…ka arrdh renea…kta budallejt ktu kerkoshin per gzhoj po shnajperi nuk le gzhoj se esh me shul e ne kte rast 1 her esh gjujt…esht ndertesa anash rruges…e kan gjet fiks rrenea…”.
Asokohe, gazetari Artan Hoxha foli publikisht mbi llojin e snajperit në fjalë dhe të gjitha detajet e tjera teknike rreth armës. Lajmi bëri bujë dhe u ripublikua disa herë në mediat online.
“Modeli i pushkës me të cilën është qëlluar është “Sako magnum” e kalibrit 338, është një armë e rrallë. Forcat speciale tona duhet të kenë dy të tilla. Deri në 800 metër nëse ke të bësh me qitës të mirë, është efikase. Edhe në rastin konkret predha atij i ka kaluar në pjesën poshtë sqetullës. Është tejshpuese, nuk kanë gjetur as gëzhojë dhe as predhë. Ai lloj fisheku është shpërthyes dhe shkakton dëme të jashtëzakonshme brenda. Është armë profeisonale. Distanca nga është bërë goditja, objektivi që ishte një objektiv i vështirë. I plagosuri i sotëm është një njeri që ruhej, që bënte lëvizje të kontrolluara, ka një sistem mbrojtës dhe një territor të vetin që nuk është kollaj të hysh, ndaj ka qenë dhe e vështirë goditja,”- u shpreh Hoxha.
Në dosjen e SPAK parashtrohen bisedat e Çelës me Hoxhën dhe djemtë e tjerë të grupit, ku ai shprehet i kënaqur me performancën e gazetarit në media, ku pretendohet se ka shpërndarë informacione për llogari të grupit të tij kriminal.
“..shkoi perfekt nuk e mendova qe do shkonte aq bukur je strateg…,”- është një nga mesazhet e Suel Çelës alias Marjus Lulaj i ka dërguar Artan Hoxhës.
Nisur nga kjo, SPAK hedh dyshime mbi vërtetësinë e mesazhit kërcënues që u dërgua në celularin e gazetarit, shkurtin e 2020-s.
“Tan hoxha ke kaq muaj qe hedh balt padrejtësisht mbi familjen ton tani po na fajson per lidhje me politikan per te miren tende ben mir ge sot perball kryeministrit mos e permendesh ne asnje moment emrin e familjes ton, e dim ku jeton ti femijet familjaret e tu mos na detyro ta kthejm ne personale,”- i cili do të shoqërohej me 2 fotografi para një banke, është mesazhi që Artan Hoxha dhe Suel Çela sajuan sipas SPAK, për ta dërguar më vonë në celularin e gazetarit dhe për ta shitur si një kërcënim për punën e tij.
Suel Çela e pyet Artan Hoxhën madje edhe për orarin kur duhet dërguar, që të bëhet edhe më i besueshëm. Ideja e mesazhit të kërcënimit jepet vetë nga gazetari, ndërsa mesazhet duheshin çuar edhe te numri i tij, edhe te numri i medias ku punonte në atë kohë. Mesazhi do të dërgohej nga jashtë vendit, në zonën ku rrinin anëtarët e grupit rival të Çapjave.