zoom

Politikë

Dosja e SPAK/ Si i ndryshoi Berisha ligjet për të favorizuar dhëndrin e tij

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi është në qeli, pasi u arrestua një natë më parë në Rinas për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Por për të realizuar privatizimin, në ndihmë Malltezit i erdhi vjehrri i tij Berisha, i cili në atë kohë ishte kryeministër.

Në dosjen voluminoze prej 200 faqesh, SPAK ka zbardhur rolin e Sali Berishës, ndaj të cilit po ashtu është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” si i akuzuar për korrupsion pasiv.

“Shtetasi Sali Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër ka kryer veprime konkrete dhe aktive në miratim ligjesh me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkretë, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij”, njoftoi SPAK.

Por çfarë ligjesh ndryshoi Berisha?

Ligji për urbanisitikën përcaktonte qartë se KRRT-të e rretheve, bashkive e qyteteve të kategorisë së parë, të Bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH, nuk kanë të drejtë të miratojnë ndërtim jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara në territore pronë publike te tilla si territore sportive, të përcaktuara në Rregulloren e Urbanistikës.

Por Sali Berisha, në postin e kryetarit të KRRT, firmos një vendim që ndryshon planin rregullues të Tiranës dhe zona në rrugën “Frosina Plaku” kthehet nga “zonë sportive” në “zonë banimi”, duke hapur rrugën e privatizimit.

Sali Berisha “rrëzoi” edhe një tjetër pengesë për privatizimin, që ishte ligji
i vitit 2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” parashikonte që subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të drejtë të paraqesin kërkesat e reja brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit. Ligji theksonte se nuk kthehen pronat e paluajtshme që i shërbejnë një interesi publik. Por Këshilli i Ministrave, në kohën që Berisha ishte kryeministër propozoi një ndryshim në këtë ligj dhe u miratua vendimi që subjektet e shpronësuara të mund të depozitonin kërkesat e tyre deri në 1 tetor 2007.

Pas këtij vendimi, trashëgimtarëve të pronës, mes të cilëve Malltezi, familja Begeja, Bekteshi, Hoxha, Saliaga, Vaqarri, Alimehmeti dhe Llagami iu rikthye prona.

Kështu, në 21 mars 2007, Komisioni i Kthim Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve merr vendimi që familjes Begeja t’i kthehet prona. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 12.596 metër katrorë dhe Jamarbër Malltezi është një nga trashëgimtarët e pronës, bashkë me Bashkim Bekteshin, Nervit Hoxhën, Rajmonda Bekteshin, Orinda Malltezin dhe Gëzim Begejën.

“Ky ndryshim i dha mundësi pesë familjeve pronare Begeja, Alimehmeti, Saliaga, Vaqari dhe Llagami t’i drejtoheshin Agjensisë së Kthimit të Pronave, me kërkesa për kthimin e pronës të ndodhur në territoret e Klubeve Sportive (të Futbollit dhe Shumësportesh) Partizani” thuhet në dokumentin e SPAK.