Aplikacion
Në atë dosje, janë emrat dhe rolet e punonjësve humanitarë që dyshohet se janë bashkëpunëtorë të terroristëve.
“New York Times” shkruan se falë linjave celulare, më 7 tetor, inteligjenca izraelite ishte në gjendje të rindërtonte lëvizjet e gjashtë burrave brenda Izraelit dhe se kishte përgjuar të tjerë, ndërsa diskutonin për përfshirjen e tyre në sulm.
Tre, lexohet në raport, kanë marrë mesazhe për t’u paraqitur në vendet nga ku më pas militantët janë larguar për të kryer bastisjet. Njërit prej tyre iu kërkua gjithashtu të sillte granata nga shtëpia.
Shtatë nga të akuzuarit janë mësues – të matematikës dhe gjuhës arabe -; dy punonin në shkolla në role të tjera dhe tre të tjerët ishin të punësuar si nëpunës, punonjës socialë dhe menaxher magazine.
Ndër të gjithë emrat dhe tregimet, bien në sy disa detaje të sakta: një këshilltar shkolle nga Khan Younis, me djalin e tij, rrëmbeu një grua izraelite; një punonjës social nga Nuseirat dyshohet se ka ndihmuar në sjelljen e një ushtari izraelit të vdekur në Gaza dhe në shpërndarjen e municioneve në ditën e sulmit.
“Wall Street Journal” shton se sipas disa vlerësimeve të inteligjencës izraelite, rreth 1,200 nga rreth 12,000 punonjës të UNRWA në Gaza, kanë lidhje me Hamasin ose Xhihadin Islamik Palestinez dhe rreth gjysma kanë të afërm të ngushtë që i përkasin grupeve militante islamike.
Akuzat izraelite kundër punonjësve të UNRWA-s kanë bërë që njëmbëdhjetë vende, të deklarojnë bllokimin e fondeve për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara, e cila, menjëherë pas lajmit, mori vendimin për të pushuar dhe hapur një hetim kundër 12 burrave të akuzuar për bashkëpunim (dy kanë vdekur).
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili menjëherë tha se ishte “i tmerruar”, u kërkoi dje vendeve që kanë pezulluar fondet të ndryshojnë mendje dhe të vazhdojnë të financojnë punën e UNRWA-s, e cila është thelbësore në Rrip.
Që nga viti 1949, organizata është kujdesur dhe menaxhuar për mbi pesë milionë refugjatë palestinezë që jetojnë në Gaza dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Nëse prania e UNRWA-s ka qenë gjithmonë thelbësore për menaxhimin e stabilitetit në Rrip, në këtë moment lufte roli i saj është edhe më i rëndësishëm.
“Corriere della Sera” intervistoi zëdhënësen e Agjencisë, Tamara Alrifai, e cila tha: “Nëse dhjetë vendet nuk ndryshojnë mendje, në një muaj ne nuk do të mund të punojmë më dhe katastrofa humanitare në Gaza do të shndërrohet në ferr”.
Kjo do të thotë se nga marsi, një milion e katërqind mijë refugjatë lufte do të rrezikonin të gjendeshin pa ndihmë.
Krahas akuzave ndaj 12 punonjësve, javët e fundit flitet për një bisedë ku punonjësit e Agjencisë festonin masakrën e 7 tetorit.
Izraeli ka qenë gjithmonë shumë kritik ndaj UNRWA-s, e cila, siç raportohet nga “New York Times”, sipas qeverisë së Jeruzalemit paraqet një pengesë për zgjidhjen e konfliktit.
Aty lexohet: ”Vetë ekzistenca e tij do të pengonte refugjatët palestinezë të integroheshin në komunitete të reja”.
Netanjahu akuzoi agjencinë e OKB-së për marrëdhënie të ngushta me Hamasin dhe për fshehje të armëve dhe milicëve. Ai deklaroi: “Në shkollat e UNRWA-s ata mësojnë doktrinat e shfarosjes së Izraelit – doktrinat e terrorizmit, duke lavdëruar terrorizmin”.
Por, nga ana tjetër, ka nga ata që janë të sigurt se UNRWA është gjithashtu “e dobishme” për Izraelin, sepse menaxhon pothuajse dy milionë refugjatë, për të cilët, përndryshe, do të duhej të kujdeseshin autoritetet e qeverisë së Jeruzalemit.
Sërish sipas zëdhënëses Alrifai, metodat e rekrutimit të punonjësve të UNRWA janë strikte: “Çdo punonjës merr pjesë në orë trajnimi. Ne mund të votojmë, por nuk mund të kemi role politike. Ne ndjekim mësime për përdorimin korrekt të mediave sociale dhe gjuhës, ne studiojmë gjithmonë për të qenë shërbëtorë të mirë humanitarë”.
Por kjo nuk mjaftoi. Është e qartë se në një kontekst të komplikuar si ai i Rripit, i përfshirë nga bombat izraelite dhe i menaxhuar për 20 vjet nga Hamasi, nuk është e lehtë të kesh kontroll mbi marrëdhëniet dhe aktivitetet e të gjithëve.
Sot, ata që jetojnë në Gaza mendojnë se si të mbrohen nga raketa e radhës, si të sigurojnë ushqim dhe një vend të sigurt dhe të ngrohtë për fëmijët e tyre.
UNRËA nuk komenton detajet e dosjes, por Kombet e Bashkuara kërkojnë që të mos detyrohet popullata palestineze të paguajë për gabimin dhe bashkëpunimin e pak njerëzve të dyshuar.