zoom

Aktualitet

Inceneratorët/ Kapet në Itali biznesmeni Juri Ymeraj, Policia: Do ekstradohet! Babai: Ka pafajësi

Arrestohet në Itali, për t’u ekstraduar në vendin tonë, një 35-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për pastrim parash. Bëhet fjalë për Juri Ymerajn (në foto djathtas), i shpallur në kërkim nga SPAK prej dy vitesh, për çështjen e inceneratorëve Fier-Elbasan, teksa masa dhe hetimet ndaj biznesmenit bëheshin në mungesë.

Policia e Shtetit konfirmoi lajmin dhe njoftoi se Interpoli ka nisur procedurat e ekstradimit. teksa familja dhe konkretisht babai i Ymerajt, deklaron se i biri ka marrë pafajësinë dhe ndalimi është procedurë standarde e përkohshme.

Petrit Ymeraj pretendon se djali i tij ka marrë pafajësi për akuzat që SPAK ka ngritur dhe se është thirrur nga policia italiane vetëm për verifikim 24 orë.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe shkëmbimit të menjëhershëm të këtij informacioni, nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policia italiane arrestoi në Padova, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin J. Y., 35 vjeç. Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Vijon bashkëpunimi me Interpol Romën, për të finalizuar ekstradimin e 35-vjeçarit në Shqipëri. Aktualisht Ymeraj dhe disa të tjerë kanë marrë pafajësinë nga shkalla e parë e GJKKO vitin e kaluar, por nuk ka ende formë të prerë dhe duket se arresti ka mbetur aktiv. Prokuroria thotë se e ka ende nën hetim për “pastrim parash” dhe me masë “arrest me burg”.

Ymeraj, sipas dosjes së SPAK, ka qenë administrator i njërës prej shoqërive dhe ka përfituar nga ky operacion financiar fiktiv i paligjshëm.

Por avokati (në foto majtas), në atë kohë pretendoi se punimet që ka bërë ai ka qenë  në vlera krejt të papërfillshme. “Ai ka qenë pronar i një prej 500 shoqërive, me kontrata dhe transferta parash të rregullta”, tha ai.

Ymeraj, i shpallur në kërkim prej vitit 2022, hetohet mëvetësisht në dosjen ku bënin pjesë ish-ministri Lefter Koka dhe deputeti Alqi Bllako, të dënuar tashmë për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.

“Kompania e Ymeraj ka pasur aktivitet me shumë kompani të tjera dhe kjo është një prej tyre. S’mund të prezumojmë që, meqë kjo kompani ka një kontakt me inceneratorët, ka marrëdhënie juridike. Kjo është një kompani e rregullt sipas ligjit, është krijuar rreth 2015-s”, tha atëkohë avokati.

4 milionë euro u paguan për inceneratorin e Fierit për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit. 11 urdhër-arreste u firmosën nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK, për inceneratorin e Fierit, 10 arrest në burg dhe 1 në arrest shtëpie. Shoqëria ka realizuar blerje fiktive nga kompanitë e personave të përfshirë në vlerë totale prej 359.4 milionë lekë dhe dëmi i shkaktuar përmes TVSH-së në buxhetin e shtetit është 60 milionë lekë. /ZOOM.AL/