zoom

Aktualitet

Do vrisnin Inez Hajrullën për hakmarrje dhe lojërat e fatit, SPAK çon në gjyq 5 anëtarët e grupit

Atentati tjetër i dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe miqve të tij në Vlorë vitin e kaluar, me motiv hakmarrjen e nisur më 2013 për një vrasje dhe konkurrencën e lojërave të fatit, ka çuar pas hekurave dhe nën akuzë grupin e dyshuar të autorëve, teksa SPAK njoftoi sot se ka mbyllur hetimet dhe dërguar dosjen për proces në GJKKO.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, konfirmoi se përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.148/1, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Leonard Luzi ( Zejno, Sejno), Amarildo Nikolli (Xhanej), Muharem Koroveshi (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejno.

Pesë të pandehurit akuzohen për veprat penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm atë të grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal”, dhe “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, të gjitha të parashikuara përkatësisht nga nenet 80, 278/1, 28/4, 333/a/1/2, dhe 334, të Kodit Penal.

“Hetimet provuan se vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit. Rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erigert Zejno. Në lidhje me këtë ngjarje në datën 17.08.2013, u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Në datën 21.04.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj etj., për mungesë provash, dhe në datën 04.12.2014, hetimet e këtij procedimi janë pezulluar për zbulimin e autorëve.

I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i dërguar për gjykim, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, vrarë më datë 22.03.2013, në lagjen “11 Janari”, Vlorë. Hetimet provuan se i pandehuri Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla”, thotë SPAK.

Për këtë qëllim, i pandehuri Leonard Luzi, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori material i veprës penale, si dhe të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit. Të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes (pas kryerjes së vrasjes).

Vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, nuk u bë e mundur, pasi në datën 07.08.2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik kryer ndaj të pandehurit Amarildo Nikolli, nga shërbimet e policisë të Sektorit “Fast Albania”, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës Pietro Beretta, Mod 92 FS, cal.9, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 (katërmbëdhjetë) fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Ka rezultuar se ditën e arrestimit të tij, i pandehuri Amarildo Nikolli, kishte dalë pikërisht për të finalizuar krimin e porositur prej të pandehurit Leonard Luzi”, thuhet në dosjen penale.

Pas dërgimit për gjykim të procedimit penal në ngarkim të katër të pandehurve të mësipërm, vazhdojnë hetimet në kuadër të një procedimi penal të ndarë, i cili synon zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në kryerjen e veprave penale. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura