zoom

Aktualitet

“Do ta marr hakun”- Premtimi në varrin e xhaxhait i mori jetën Kristian Markut?

“Do ta marr hakun”, i kishte premtuar Kristian Marku xhaxhait të tij, Martin Bardhi, gjatë varrimit të tij.

30-vjeçari, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash, kishte bërë premtimin para familjarëve, sipas Vox News.

I riu u qëllua për vdekje në autostradën Fier-Vlorë nga persona ende të paidentifikuar.

Pista kryesore e hetimeve është hakmarrja mes dy fiseve Bardhi e Reçi në Rrëshen të Mirditës, që vijon prej 29 vitesh.

Policia bastisi banesën e familjarëve të Kastriot Reçit në Rrëshen, ndërsa 4 anëtarë të fisit të tij, mes tyre Saimir e Martin Reçi, u morën në pyetje në polici, por ata kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit.

Vrasja e Martin Bardhit

Kristjan Marku është nipi i Martin Bardhit të vrarë në shtator të vitit 2023, në Rrëshen.

Martin Bardhi u ekzekutua me armë zjarri paraditen e 26-shtatori 2023 teksa po pinte kafe në lokalin në pronësi të tij në Rrëshen.

Nga breshëria e plumbave mbeten të plagosur dhe tre persona të tjerë të cilët ishin nën shoqërinë e viktimës, ndërsa autoret e ngjarjes ishin dy persona të maskuar të cilët u larguan me një foristradë e cila u gjet e djegur në fshatin Gziq të Mirditës.

Vrasja e Bardhit është dyshuar të ketë lidhje me një konflikt të mundshëm me familjen Reçi, megjithatë të pyetur nga policia këta të fundit e mohuan një lidhje të tillë

E shkuara kriminale e 30-vjeçarit

Në vitin 2023, Kristian Marku u akuzua si një nga autorët që qëlloi me armë zjarri ndaj Sajmir Reçit në Rrëshen të Mirditës, në mars.

Një ditë pas ngjarjes, policia prangosi Martin Bardhin, ndërsa shpalli në kërkim djalin dhe nipin e tij, Erind Videl alias Erind Bardhi dhe Kristian Marku alias Kristi Bardhi.

Armë pa leje

Pak muaj më vonë, në shtator, Policia e Kurbinit prangosi Kristian Markun gjatë një operacioni policor të koduar “Tentativa”.

Ai po lëvizte me automjet dhe me vete kishte edhe armë zjarri, pa leje. Në afërsi të fshatit Shëmri, sapo pa policët, Marku hodhi nga dritarja e automjetit pistoletën me fishekë në të, të cilën e posedonte pa leje.

Shërbimet e Policisë e gjetën armën e zjarrit dhe e sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Postime të lidhura