zoom

Aktualitet

“Do qëndrojnë kriminelët më të rrezikshëm”, burgu i Ali Demit do strehojë shqiptarët e dënuar në MB

Britania po ndihmon në hapjen e një burgu të ri në Shqipëri, shkruan The Telegraph.

Në artikull thuhet se oficerët e burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar kanë punuar me homologët e tyre shqiptarë për të zhvilluar burgun e parë të hapur në vend pas një marrëveshjeje prej 4 milionë paund në vit për transferimin e të burgosurve.

Britania po i paguan Shqipërisë paratë për të rikthyer 200 të burgosurit e saj më të rrezikshëm, si dhe financon trajnimin e oficerëve të burgjeve, rinovimin e burgut, sigurinë shtesë dhe pajisjet e rehabilitimit.

Mbretëria e Bashkuar ka paguar gjithashtu 1.5 milion £ për 15 makina elektrike dhe 22 mikrobusë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit të burgjeve në Shqipëri.

Është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të trajtuar krizën e mbipopullimit në burgjet në Angli dhe Uells.

Janë rreth 1,270 shqiptarë të mbajtur në burgje në Angli dhe Uells, numri më i madh nga çdo kombësi.

Sipas “The Telegraph”, bëhet fjalë për burgun e “Ali Demit”, i cili ishte burgu i grave në Tiranë.

Klevis Qose, drejtori i përgjithshëm i shërbimit të burgjeve shqiptare, tha: “Ne jemi gati të popullojmë burgun e hapur të Ali Demit, burgun më të ri në Shqipëri.”

Projekti i financuar nga qeveria shqiptare dhe me mbështetjen e ambasadës britanike në Tiranë për rritjen dhe forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, pritet të përgatisë të dënuarit për t’iu përshtatur sa më natyrshëm jetës civile.

Sipas marrëveshjes dyvjeçare, kriminelët, të gjithë që vuajnë dënime me më shumë se katër vjet, do të përfundojnë burgimin në Shqipëri me një kosto prej 32 £ në ditë, krahasuar me 109 £ në ditë në Britani.

Të 200 të burgosurit përfshijnë vrasës, përdhunues dhe tregtarë droge, të cilët do të transferohen në grupe në Shqipëri, ku do të vuajnë të njëjtën kohë dënimi si në Mbretërinë e Bashkuar.

Do të ketë një grup të përbashkët mbikëqyrës për të parandaluar keqtrajtimin e të burgosurve, ndërsa qeveria shqiptare do të përgatisë një raport vjetor për të burgosurit dhe kushtet e tyre. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ketë të drejtën për të kryer kontrolle fizike.

Në mesin e 200 të transferuarve janë 17 të burgosur përjetë, përfshirë Koci Selamaj, vrasësi i mësueses Sabina Nessa, i cili është dënuar me 36 vite burg.

Ai ka vuajtur deri më tani vetëm dy vjet, që do të thotë që Britania e Madhe do t’i paguajë shqiptarët 400,000 £ për ta burgosur për 34 vitet e mbetura të dënimit të tij. Do të kushtonte më shumë se 2 milionë paund nëse ai do të qëndronte në Britaninë e Madhe.