zoom

Aktualitet

Do ketë veprime të tjera për Bashën lidhur me ‘Toyota Auris’, thotë gazetarja

Prokurorët belgë do të kryejnë veprime për Lultim Bashës në kuadër të hetimit për çështjen ‘Toyota Auris’.

Kështu tha në emisionin “Now” gazetarja Anduena Llabani, e cila ka qenë në kontakt me prokurorët e Tiranës dhe të SPAK-ut lidhje me këtë çështje.

“Do të kemi një hetim jo vetëm për subjekte që janë hetuar e hetohen në Belgjikë për llogari të Belgjikës që janë me vendqëndrim në Shqipëri, por do të kryhen veprime edhe për z. Basha”, tha Llabani.

Gazetarja tha se prokurorët belgë do të vijnë sërish në Shqipëri, pasi i kanë hapur hetimet dhe kanë kërkuar nga prokuroria bashkëpunim të ndërsjellë për hyrjen e 3.4 milionë euro në Shqipëri.

Belgët po hetojnë çështjen “Toyota Auris”, ku në qershor të 2018 u sekuestruan 3,4 milionë euro të fshehura në automjete në portin e Durrësit.

Në atë kohë Basha akuzoi Taulant Ballën në parlament se ishte pronar i parave të drogës në makinat ‘Toyota’.