zoom

Aktualitet

Djegia e vilës 3-katëshe në Berat, babai i vuri zjarrin pas sherrit me djalin. Nën akuzë i moshuari

Autori i zjarrëvënies së vilës në Berat dyshohet se është babai i pronarit të godinës. Policia vendore njoftoi se sulmi i qëllimshëm erdhi pas sherrit për motive të dobëta dhe aktualisht po procedohet penalisht 78-vjeçari.

“Menjëherë pas njoftimit të marrë gjatë natës, se po digjej banesa në pronësi të shtetasit D. Q., në lagjen “30 Vjetori”, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Nga veprimet proceduralo-hetimore të kryera në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të këtij rasti, shtetasit Sh. Q., 78 vjeç, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin gjatë natës, banesës së djalit të tij, shtetasit D. Q., për motive të dobëta”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas marrjes në pyetje të të moshuarit dhe në përfundim të veprimeve paraprake, dosja u referua në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

“Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme”, theksoi policia. Nga zjarri pati vetëm dëme materiale, teksa autori spërkati muret dhe u vuri flakën. /ZOOM.AL/