zoom

Bota

Djali i themeluesit të Hamas thirrje Izraelit: Vritini liderët e grupit, përfshirë edhe babanë tim!

Mosab Hassan Yousef, djali i bashkëthemeluesit të Hamasit, Sheikh Hassan Yousef, i ka bërë thirrje Izraelit të marrë masa ekstreme kundër udhëheqësve të Hamasit, për të siguruar lirimin e rreth 170 pengjeve ende të mbajtur peng në Gaza.

Mosab siguron se “jo të gjithë palestinezët janë me Hamasin. As të afërmit e këtij grupi radikal të Gazës që orkestroi vrasjen e më shumë se 1200 civilëve dhe ushtarëve izraelitë më 7 tetor”, prandaj ai konsideron se do të ishte një gabim i madh të vazhdonte negociatat me grupin terrorist, nëse ai nuk respekton me atë që kërkon qeveria izraelite.

“Nëse Hamasi nuk i kthen pengjet izraelite, Izraeli duhet të ekzekutojë në burg liderët e lartë të Hamasit, veçanërisht vrasësit masivë. Dhe kur them të ekzekutoni udhëheqësit kryesorë të Hamasit, dua të them që nuk ka përjashtime. Këtu përfshihet edhe babai im, bashkëthemeluesi i lëvizjes Hamas. Në këtë luftë nuk ka përjashtime”, tha Yousef, i cili gjithmonë ka qenë shumë kritik ndaj Hamasit.

Mosab shigjeton dhe Katarin

Për më tepër, Mosab i bën thirrje Izraelit që ta trajtojë Katarin si një shtet armik derisa udhëheqësit e Hamasit të mërguar atje të dëbohen. Ai gjithashtu këshillon që të jepet një afat prej një muaji për dëbimin dhe nëse kjo nuk plotësohet, sugjeron mundësinë e vrasjes së këtyre liderëve në Katar.

Ai kritikon gjithashtu lëshimet e bëra nga Izraeli në javët e fundit dhe bën thirrje për një ndryshim të prioriteteve: “Pengjet e mbetura, veçanërisht ushtarët, duhet të trajtohen si robër lufte dhe Izraeli duhet të ndryshojë prioritetin e tij për të filluar një ofensivë që fokusohet në zhdukjen ndaj Hamasit.”

Kjo nuk është hera e parë që ai sulmon të atin.

Mosab është një arab i konvertuar në krishterim, i cili që nga viti 2007 ka kërkuar azil politik në Shtetet e Bashkuara, ka jetuar larg Palestinës së tij të lindjes. Në vitin 2010 ai publikoi librin “Biri i Hamasit”, në të cilin ai shpalos betejat personale, dilema etike dhe vendime tronditëse në një kontekst të konfliktit kompleks politik dhe familjar.

Djali i liderit të grupit radikal filloi të vërë në dyshim veprimet dhe ideologjinë e Hamasit. Në libër ai tregon se si u bë nga një militant i Hamasit në një spiun të inteligjencës izraelite. Në këtë transformim, Mosab dha informacion të vlefshëm për operacionet e Hamasit. /ZOOM.AL/

 

Related Posts

None found