Aplikacion
Në marshin e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), pjesëmarrësit u nisën drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë me pankarta të shumta. “Duam dialog për realizimin e kërkesave tona”, “Kërkojmë të ngrihet vlera e koeficientit” e “Qeveri, realizo kërkesat tona, parandalo veprimet tjera sindikale” ishin disa nga mesazhet të shfaqura nëpër pankarta.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, paralajmëroi se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës, ata do të shqyrtojnë kryerjen e “veprimeve sindikale” si në të kaluarën kur punëtorët e arsimit kanë bërë greva. “I drejtohem Qeverisë me lutjen që të veprojë e të mos na përsëritet viti 2022 kur filluam me protesta modeste e pastaj me protesta massive. E, shkaku i heshtjes së tyre, u detyruam të bëjmë veprime sindikale që asnjëherë nuk i kemi dashur”, tha Jashari, sipas raportimit të REL.
Gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro. Vitin e kaluar, vlera e koeficientit ishte 105 euro, por aktivistë të shumtë kanë kërkuar që kjo vlerë të rritet më shumë për shkak të rritjes së çmimeve. Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe nisja e luftës në Ukrainë, çmimet e shumë artikujve dhe shërbimeve janë rritur dukshëm. Punëtorët në Kosovë kanë pagë mesatare prej 520 eurosh dhe minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro.
Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh në Kosovë, me rreth 300 mijë të punësuar. Paga mesatare në këtë sektor, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2022 ka qenë 473 euro. Ky sektor vazhdimisht ka pasur kritika për trajtim joadekuat të punëtorëve, madje në kundërshtim me Ligjin e punës. Që nga viti i kaluar, ky sektor është duke u ballafaquar me mungesë të punëtorëve – disa janë në kërkim të kushteve më të favorshme dhe po lëvizin nga një kompani në tjetrën brenda Kosovës, ndërsa disa po kërkojnë punë në vende të BE-së.
Sipas ASK-së, papunësia në vend sillet në më pak se 12 për qind. Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e cila shënohet më 1 maj, shfrytëzohet në shumë vende si një ditë për të kërkuar të drejtat e punëtorëve, për të transmetuar ankesat e përgjithshme ekonomike ose kërkesat politike.
Protesta edhe në Shkup
Organizatat sindikaliste në Maqedoninë e Veriut, kanë protestuar para qeverisë në Shkup, për rritjen e pagave të punëtorëve dhe kushte më të mira në punë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Për herë të parë, me moton “Ne punëtorët”, në protestë janë bashkuar dy organizatat më të mëdha, Lidhja e Sindikatave dhe Konfederata e Organizatave Sindikale.
Këto dy organizata kërkuan nga qeveria rritjen e pagës minimale në 450 euro, mbulimin e shpenzimeve për transport, ushqim dhe marrëveshjet kolektive që garantojnë të drejtat e tjera në punë. “Pa plotësimin e standardeve minimale të Bashkimit Evropian ne nuk mund asnjëherë të bëhemi pjesë e unionit [evropian]. Me pagat që marrim mezi po arrijmë të mbyllim muajin. Varfëria ka hyrë në shtëpinë e çdo punëtori”, ka deklaruar Angel Stojkovski, punonjës në industrinë e tekstilit në protestën e 1 Majit të mbajtur në Shkup, sipas INA.
Protestuesit thonë se është momenti i fundit që institucionet të ndërgjegjësohen pasi vendi do të mbetet pa punëtorë nëse vazhdojnë të nëpërkëmben nga shteti. “Kemi dalur që të kërkojmë të drejtat tonë, të solidarizohemi me të gjitha degët e industrisë, me të gjithë punëtorët dhe të përçojmë porosinë tek qeveria aktuale dhe ajo që do të vijë që të mos luajë me të drejtat e punëtorëve pasi ata janë shtylla e këtij vendi”, ka deklaruar Ivan Peshevski, nga sektori i ndërtimtarisë. Drejtuesit e sindikatave, në veçanti, iu drejtuan partive që do të formojnë qeverinë e re, pas zgjedhjeve parlamentare, më 8 mars, me kërkesën që në 100 ditët e para të punës së saj të plotësojnë kërkesat bazë.
“Paga minimale duhet të ndjekë trendin e pagës minimale në rajon, veçanërisht për shkak të Ballkanit të Hapur për shkak të mundësisë që gjatë verës punëtorët tanë të largohen për të punuar në vende të tjera”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave. Marjan Risteski, nga Konfederata e Organizatave Sindikale, tha se në Maqedoni të Veriut gjendja materiale dhe financiare e punëtorëve është duke u përkeqësuar që një kohë të gjatë dhe numri i të papunëve po rritet ndërsa investitorët po largohen nga vendi. “Ata po shkelin ligjin duke punësuar madje edhe mjekë, specialistë, e personel tjetër mjekësor me kontrata të përkohshme që i pamundësojnë realizimin e të drejtave më elementare, si sigurimin shëndetësor dhe pensional. Si mund të angazhohet ky kuadër i domosdoshëm me kontrata të përkohshme kur ka vende të lira të punës?”, thotë Risteski.
Maqedonia e Veriut ndodhet para zgjedhjeve parlamentare dhe rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më 8 maj. Partitë politike, gjatë fushatës elektorale, kanë bërë premtime të ndryshme, si rritjen e pagës minimale deri në 650 euro dhe pagës mesatare deri në 1.100 euro. Drejtuesit e organizatave thonë se kanë dëgjuar premtime të tilla në çdo cikël zgjedhor, por ua kanë rikujtuara institucioneve që do të përballem me protesta të fuqishme nëse nuk ndërmarrin masa për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve.
Maqedonia e Veriut në mars u përshi nga protestat e profesorëve universitar dhe punonjësve shkencore ndërsa në muajin shkurt nga mjekët specializantë dhe punonjësit tjerë mjekësor. Paga minimale në Maqedoninë e Veriut arrin në 22.500 denarë (365 euro), ndërsa mesatarja në 39.276 (638 euro). Por, këto paga nuk pasqyrojnë gjendjen reale pasi lartësinë e tyre e diktojnë pagat e kompanive farmaceutike, të shërbimeve kompjuterike dhe të disa ndërmarrjeve tjera me të ardhura të larta. /ZOOM.AL/