zoom

Futboll vendi

Dinamo prezanton trajnerin, Vanoli: Klub me histori, objektiv është mbijetesa

Dinamo Tirana prezanton trajnerin e ri Rodolfo Vanolin. I emëruar pas shkarkimit të Bledar Devollit, italiani vjen me një detyrë të rëndësishme për të shpëtuar skuadrën nga zona e rënies nga kategoria.

“Si fillim, mirëdita (flet në shqip). Jam i lumtur që jam këtu dhe jam i nderuar të drejtoj një nga klubet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Fokusi do të jetë tek derbi me Tiranën. Më kryesorja është që ta mbyllim këtë sezon me objektivin për të mbijetuar.

DINAMO– “Do bëj më të mirën për skuadrën dhe presidentin. Fola pak me të dhe kemi rënë në dakordësi për të shtrënguar dhëmbët për të çuar Dinamon aty ku e meriton. Jam krenar për zgjedhjen e bërë. Kam folur me lojtarët dhe janë të bindur se mund të japin maksimumin”.

EMËRIMI– “Dinamon e kam njohur prej kohësh, kush nuk e njeh? Është historia vetë. Kemi miq të përbashkët me presidentin dhe pasi diskutuam, vendosëm që të dielën të jem prezent”.

FRIKË– “Kam pranuar të ulem në pankinë, jo si kalimtar, dua të bëj mirë!”.

NDRYSHIMI– “Ajo që duhet të ndryshojmë është rezultati dhe në futboll rezultatet janë vendimtare. Për të fituar duhet një tjetër sjellje. Kam parë një skuadër nervoze, por duhet të fitojmë. Edhe lojtarët duhet të marrin përgjegjësi, jo vetëm trajneri që u largua”.

PRITSHMËRITË– “Jam këtu për të zgjidhur problemet dhe rikthyer klubin në krye. Janë 11 ndeshje si finale dhe ky është motivi që duhet të kemi çdo ditë”.

TIRANA-” Në jetën time kam mësuar që të kem respekt për të gjithë. Dikur kam patur përballë Maradonën, Gullit dhe van Basten, çfarë duhet të bëja? Të mos dilja në fushë? Nuk e nisim ndeshjen të humbur. Respekt për Tiranën, por jo frikë”.

/zoom.al