Aplikacion
Burime për Zoom.al konfirmojnë se 62-vjeçari Enver Balla u vra nga djali i tij për para.
I moshuari kishte një kasafortë me lekë, të cilën e kishte vendosur në dhomën e djalit të tij, ndërsa çelësin ai e mbante gjithmonë me vete. Brenda kasafortës, Enver Balla kishte të ruajtura 75 milionë lekë.
Por djali, Esmerald Balla, e grabiste atë në mënyrë të vazhdueshme. Ai kishte hapur nga mbrapa kasafortën me gur fleksibël dhe vazhdimisht merrte para nga aty.
Enver Balla zbuloi çfarë po bënte i biri në momentin që kërkoi të merrte 20 milionë lekë nga kasaforta, për të investuar te shtëpia që po ndërtonin. Aty ai ka kuptuar se i mungonin para dhe ka nisur debatin me të birin.
Pas kësaj situate, Esmerald Balla ka planifikuar vrasjen e të atit. Të nesërmen, rreth orës 8:30-09:00 të mëngjesit të 13 gushtit, ata kanë dalë së bashku te stani i tyre. Aty më pas Esmeraldi ka qëlluar babanë me armë zjarri.
Nga aty, ai ka ngarkuar trupin e pajetë në furgonin e tij dhe e ka transportuar atë te një stan tjetër, 1 km larg, dhe aty e ka hedhur në pus.
Më pas, Esmerald Balla ka shkuar në komisariat për të denoncuar babanë, Enver Balla, si të zhdukur, me qëllim për të humbur gjurmët e vrasjes.
Policia e zbardhi vrasjen 20 ditë më vonë, falë përgjimit të celularit të Esmerald Ballës, ku kanë zbuluar mesazhe dhe biseda të tij që tregojnë për ngjarjen e rëndë.
Më pas, Esmerald Balla ka pranuar krimin, duke deklaruar se e vrau babanë sepse i kishte marrë shuma parash.