zoom

Aktualitet

Dhunuan drejtorin e OSHEE-së në Lezhë, gjykata i lë në burg pa afat 2 autorët

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg pa afat, dy personat e arrestuar për plagosjen e drejtorit të OSHEE-së në Lezhë, Edmir Përndreca.

Sebastjan Malotaj dhe Leonard Pepa, të dy 27 vjeç akuzohen për plagosje të rëndë me dashje dhe goditje për shkak të detyres.

Dy te akuzuarit nuk e kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por referuar provave të paraqitura nga prokurori Sabri Kastrati, gjyqtari Ilir Perdeda e cilësoi të ligjshme arrestimin e tyre dhe vendosi masën e sigurisë ‘burg pa afat’.

Identifikimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes u bë falë metodave speciale të hetimit, përmes përgjimeve ambientale dhe fokusimit të automjetit që kanë përdorur ditën e ngjarjes.

Drejtori i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë Edmir Përndreca, u dhunua mbrëmjen e 30 nëntorit në rrugën Lezhë-Shënkoll.43-vjeçari po lëvizte me makinën e OSHEE, teksa u godit nga pas qëllimisht nga një automjet tjetër pasi ishte ndjekur.

Pas goditjes, 2 shoferët si dhe 2 pasagjerët e automjetit tjetër janë konfliktuar, të cilët e kanë dhunuar fizikisht Drejtorin e OSHEE-së, duke i shkaktuar fraktura në kokë, krah dhe këmbë.

Ai u mor nga autoambulanca dhe u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, e më pas drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Ngjarja ndodhi pas kontrolleve të shtuara për vjedhje dhe mospagim të energjisë elektrike ku u ndëshkuan disa abonentë përfshirë dhe biznese.