zoom

Aktualitet

“Më shau”- Dhunoi për vdekje Egli Progën, Denis Meçe: Doja t’i fusja një shpullë, por sa ngrita dorën u rrëzua dhe vdiq

Është zbardhur dëshmia e Denis Meçe, 29-vjeçarit që dhunoi për vdekje Egli Progën pasditen e së shtunës në qytetin e Pogradecit.

Ai ka habitur me deklaratën e tij, teksa është shprehur se “kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja, por sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më”.

I riu është shprehur se viktimën nuk e njihte dhe ishin ulur në të njëjtin lokal ditën e krimit. “Kam hyrë brenda i kam thënë pronarit të lokalit për cigare, por atje ky djali më ka thënë: ja se ta dredh një unë dhe unë për respekt ja mora. Sa kam kthyer kurrizin ky më shau”, tha ai.

Ai ka rrëfyer se e thirri jashtë për t’u sqaruar, por sipas tij Egli Proga u rrëzua në tokë pa e prekur fare.

“Gjatë kohës që ishim ulur ne lokal, vjen ky djali, emrin nuk ja dija. Ai na ka përshëndetur dhe ka hyrë në lokal, në një moment mua më kanë mbaruar cigaret dhe kam hyrë brenda i kam thënë pronarit të lokalit për cigare, por atje ky djali më ka thënë: ja se ta dredh një unë dhe unë për respekt ja mora. Sa kam kthyer kurrizin ky më shau.

Unë i kam thënë po hajde pak jashtë të flasim, ai më shau sërish dhe kemi dalë jashtë. Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por, sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situata jam larguar. Dua të them se unë kisha gjithë ditën që konsumoja alkool dhe me sa pashë edhe ai ishte i dehur”, ka dëshmuar 29-vjeçari.