zoom

Aktualitet

Dhuna gjatë derbit Partizani-Tirana/ Arrestohet gardisti dhe dy të tjerë

Tre persona janë arrestuar dhe disa të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pas dhunës në derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana, e cila përfundoi me rezultatin 1-1.

Në pranga ka rënë edhe një punonjës i Gardës së Republikës. AMP bën me dije se Ergi Ismaili akuzohet për dhunë ndaj forcave të rendit, që ishin vendosur në stadiumin “Arena e Demave” për të mbarëvajtur sigurinë në derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit.

“Arrestimi u bë i mundur pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.4 në lidhje me ngjarjen e datës 09/02/2025, ku gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit, ka patur përplasje të dhunshme mes tifozëve, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime fizike të disa personave në stadium, përfshirë edhe një punonjës të sigurisë së stadiumit edhe një punonjësi policie”, informoi AMP.

Dy të arrestuarit e tjerë janë, E.V., 31 vjeç dhe L.I., 29 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së Rendit Publik dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive.

Ndërkaq, mes të preceduarve, është Sekretari i Përgjithshëm i Partizanit dhe një delegat nga FSHF, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Gjatë procesit të hyrjes së tifozëve dhe para fillimit të ndeshjes, u shënuan disa incidente mes dy tifozërive, të cilat kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të policisë për neutralizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.

Ndeshja u zhvillua pa incidente gjatë lojës, megjithatë, për shkak të tensioneve të krijuara më herët, u identifikuan disa shtetas të përfshirë në akte dhune, të cilët u shoqëruan nga policia në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë private (SHPSF).

Sipas policisë, situata e krijuar ka rrezikuar jo vetëm punonjësit e policisë, por edhe sportdashësit, lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, të cilët mund të ishin ekspozuar ndaj akteve të dhunshme dhe pasojave të mundshme të tyre.

Postime të lidhura