zoom

Lajme

“Deti” kuqezi pushton edhe Hamburgun, por ka një “hile”. Daliç shfryn: Shqipëria nuk është Spanja!

Stadiumi “Signal Iduna Park” i Dortmundit u dominua nga tifozët shqiptarë. 50 mijë kuqezi zotëruan shkallët e stadiumit, kundrejt vetëm 10 mijë italianëve.

Kuqezinjtë humbën sfidën me shifrat 1:2, pavarësisht entuziazmit dhe mbështetjes që kishte kombëtarja.

Mirëpo, befasia ndodh në “betejën” e dytë të Shqipërisë në Hamburg. “Volksparkstadion” nuk do të ketë zotër shqiptarët, por kroatët. Mediat raportuan detaje nga ajo që pritet të ndodhë nesër në skajin verior të Gjermanisë.

“Tifozë shqiptarë në stadium pritet të jenë 15 mijë. Stadiumi i Hamburgut ka një kapacitet prej 49 mijë vende. Numri më i madh do të jetë i tifozëve kroatë”, tha Sejatllari. POr mësohet se shumë tifozë që nuk siguruan dot biletë, do grumbullohen në “Fun Zone”, ku do ndjekin takimin nga sheshi dhe do mbështesin skuadrën kuqezi.

Në orën 15.00 Shqipëria do të luajë me Kroacinë sfidën e dytë të grupit e cila shihet si përcaktuese për të ardhmen e kuqezinjve në Euro2024.

Tekniku kroat Dalic s’i ka pritur mirë pyetjet e gazetarëve, teksa theksoi se do luajnë vetëm për fitore dhe se Shqipëria nuk ishte Spanja. Ai pranoi se takimi i parë ishte me performancë të dobët dhe që shkaktoi humbjen 3-0 me iberikët. /ZOOM.AL/