Bankieri Klevis berberi kishte ngritur një skemë mashtrimi, falsifikimi dhe zhvatjeje pasi ishte zhytur në probleme financiare me borxhet dhe kreditë personale.

Policia njoftoi se e arrestoi pasi kishte mashtruar dhe zhvatur një grua me skemë 108 mijë euro për shtëpinë, teksa hetimet vijojnë. Por Berberi sipas institucionit financiar të kredive ku kishte punuar dhe abuzuar me detyrën ndaj klientëve, ishte shkarkuar nga puna për shkak të situatës së dyshuar dhe problemeve.

Shkak janë bërë problemet me kreditë e këqija, pasi Berberi kishte marrë si qytetar edhe si punonjës i bankës disa kredi. Përpara disa kohësh, Klevis Berberi është pushuar nga puna, teksa kishte qenë duke vënë në plan skemën e mashtrimit me klienten e tij.

Kjo e fundit ishte paraqitur pranë bankës ku asokohe ishte punonjës edhe Klevis Berberi, i cili përmes deklaratës noteriale të bankës, të cilën e kishte të falsifikuara i ka marrë shumën prej 108 mijë euro. Me këto dokumenta ai ka hedhur pronën në emër të tij dhe më pas ka përgatitur dokumentet për t’ja shitur sërish 54-vjeçares pronën.

Pasi është nënshkruar akti noterial, 54-vjeçarja duhet të ishte pronare e vetme e kësaj prone, ndërkohë që i arrestuari ka shitur pronën që ka qenë e vendosur kolateral për llogari të bankës së nivelit të dytë ku ai kishte qenë punonjës.

Sipas burimeve, hetimet janë në vijim për të parë nëse 32-vjeçari ka kryer të tjera skema mashtrimi me klientë apo edhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë. /ZOOM.AL/