zoom

Aktualitet

DETAJE/ Pasi Laer Kurti vdiq në spital, polici që e arrestoi humbi ndjenjat

Lidhur me ngjarjen e rëndë ku i riu Laer Kurti ndërroi jetë pas arrestimit nga policia, kanë dhënë dëshminë efektivë që morën pjesë në aksionin për kapjen e tij.

Për shkak të gjëndjes së rëndë të Leart Kurtit, në spital ka përfunduar dhe punonjësi i policisë që ka bërë arrestimin e tij. Polici pasi është njohur me gjëndjen jo të mirë të Kurtit dhe humbjes së jetës në spital, ka pësuar shok psikologjik duke bërë që të humbte për një moment ndjenjat.

Ka qenë një ambulancë, që e ka transportuar me shpejtësi në spital, ku pas përmirësimit të gjëndjes shëndetësore, pononjësi i policisë është marrë në pyetje në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.

Ora News hedh dritë mbi disa nga dëshmitë e punonjësve të policisë, mes të cilave dhe dëshmisë së efektivit 21-vjeçar që bëri ndalimin e Leart Kurtit.

I tronditur, polici ka treguar se ishin me makinë duke patrulluar, kur në rrugën “Don Bosko” ka vënë re Leart Kurtin teksa bënte disa veprime të dyshimta.

Nga ambjenti i brendshëm i makinës i ka kërkuar Kurtit që të afrohej drejt policëve. Teksa Kurti, është afruar punonjësi i policisë i ka kërkuar kartën e identitetit, por ai nuk e ka pasur.

Polici 21-vjeçar e ka pyetur nëse kishte sende të paligjshme apo duhet ta kontrollonin. Në këtë moment Kurti është larguar me vrap, duke ju shmangur verifikimit policor.

Polici ka dalë nga makina dhe i është vënë nga pas, ku pas një distance vrapimi gati 200 metra, ka arritur ta kapë Leart Kurtin.

Në momentin kur e ka “mbërthyer” me duar të dy si polici dhe Kurti, janë shembur në trotuarin e rrugës.

Polici nuk e ka lëshuar Kurtin, ndërsa ky i fundit ka shfaqur gjendje të fikti dhe vështirësi në frymëmarrje.

Kanë shkuar dhe dy punonjës të tjerë polici, të cilët po e “shkundnin” fizikisht Leart Kurtin me shpresën që ai të përmendej plotësisht.

Pasi ka ardhur në vete, një patrullë tjetër policie ka mbëritur në zonë ku u kap Kurti, duke e marrë këtë të fundit dhe transportuar në drejtim të komisariatit Nr.3.

Ndërsa polici që e ndaloi dhe dy kolegët e tij kanë qëndruar në zonë me qëllimin e vetëm për të kontrolluar terrenin rrugor që përshkoi me vrap Leart Kurti, me shpresën e gjetjes se ndonjë sendi të paligjshëm, drogë apo armë, që mund të kishte hedhur Kurti në ikje e sipër.

Teksa ka shkuar në ambjentet e policisë, Leart Kurti nuk ka dashur të zbriste nga makina duke kapur me forcë sediljet e mjetit. Gjëndja e Kurtit, thonë policët është përkeqësuar duke humbur ndjenjat dhe i ka ikur gjuha brenda.

Policët kanë bërë përpjekje për nxjerrjen e gjuhës dhe gjatë këtij procesi kanë çarë me duar bluzën e Leart Kurtit. Kurti është lënë disa minuta në dhomën e shoqërimit por më pas gjendja e tij shëndetësore u përshkallëzua ndjeshëm.

Polica ka njoftuar ambulancën, por për shkak se urgjenca po vonohej Kurti është transportuar me makinë policie drejt spitalit ushtarak.

Policët që bënë transportimin e tij në spital kanë treguar se Kurti ishte i gjallë, ndërsa bluzat e bardha kanë treguar se ai ka qenë i pajetë. Për të hedhur dritë në këtë pjesë prokuroria e Tiranës, ka kërkuar hetimet për “Mosdhënia e ndihmës mjekësore” dhe “Kryerje të veprimeve arbitrare”.

Ndërsa ambulanca, që ka shkuar në komisariat ka marrë prej andej dhe transportuar drejt spitalit edhe policin 21-vjeçar që bëri arrestimin e Leart Kurtit, i cili ka humbur ndjenjat.