zoom

Aktualitet

Detaje nga vrasja në Prizren: Arma ‘kërciti’ brenda lokalit, vazhdoi edhe jashtë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për vrasjen në Prizren, ku si i dyshuar u arrestua pronari i lokalit, personazhi i njohur Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”.

Sipas Policisë të shtënat kanë filluar fillimisht në lokal. Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin banorë të Kukësit janë larguar me makinë në drejtim të spitalit të Kukësit.

“Prizren 03.01.2023-04:00. Është raportuar se, nga disa persona në një lokal ka pasur shkëmbim zjarri. Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur”, njofton Policia.

Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar, teksa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe tri gëzhoja.

“Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar meshkuj kosovar dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti, dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin, janë sekuestruar disa dëshmi. Po ashtu në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja. Njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë si dhe veturën e viktimës. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pronari i lokalit, Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra” dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri pas një zënke fizike me disa persona, të cilët kishin ardhur nga Kukësi në Prizren. Si pasojë, njëri nga ta ka mbetur i vdekur, kurse një tjetër është plagosur.