zoom

Aktualitet

DETAJE/ Balluku po merret në pyetje për inceneratorin e Tiranës

Zbardhen detaje të reja nga marrja në pyetje e zëvendëskryeministres, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Burimet konfirmojnë se ajo është thirrur nga SPAK për të dhënë sqarime për inceneratorin si person që ka dijeni.

Pak kohë më parë, Belind Këlliçi nga zyra e Partisë Demokratike publikoi shkresa që sipas tij, faktonin se Balluku i kërkoi Erion Veliajt ngritjen e strukturës që do të monitoronte koncensionin.

Fjala e Belind Këlliçit në janar:

Pra zv. Kryeministrja e vendit fakton me këtë deklaratë publike ato ç’ka ne kemi publikuar zyrtarisht dy muaj më parë. Dhe më konkretisht:

Më datë 10 korrik 2023, Belinda Balluku i drejtohet me shkresë Erion Veliajt ku i thotë shprehimisht se dy anëtarët e Bashkisë Tiranë në NJZP, kanë bllokuar prej më shumë se dy vitesh punën e kësaj strukture. Dhe që ta kuptoni më qartë rëndësinë e kësaj strukture, po u lexoj një pjesë të shkresës:

“Kontrata Konçensionare “Për Ndërtim Lendfilli, Inceneratorit dhe Rehabilitimit të Vend depozitimeve Ekzistuese Tiranë dhe Prodhimi të Energjisë Elektrike”, monitorohet nga Njësia e Zbatimit të Projektit, e cila është struktura administrative e ngarkuar për ndjekjen, zbatimin e kushteve dhe përgjegjësive kontraktuale, ushtrimin e mbikëqyrjes së vazhdueshme.

Kjo është struktura që duhet të monitoronte jo vetëm ndërtimin e inceneratorit që nuk ekziston, por dhe hallin e madh që kanë prokurorët e dosjes se ku kanë shkuar 120 milionë eurot, para të cilat sipas vetë prokurorëve të SPAK zbardhur në vendimin e gjykatës, kanë dalë me çanta cash nga territori i Shqipërisë.

Çfarë deklaronte Balluku për hetimet për inceneratorin:

“Ne kemi bërë detyrën tonë për t’i krijuar drejtësisë së re një habitat ku ajo të operojë dhe parimi që qeveria Rama, gjithë deputetët socialistë dhe strukturat drejtuese kanë është që ne nuk ndërhyjmë në sistemin gjyqësor shqiptar apo në sistemin e drejtësisë, pasi ky ka qenë fokus i Reformës në Drejtësi për t’i dhënë një pavarësi të plotë dhe për të krijuar transparencë, gjë e cila vlerësohet nga të gjithë ndërkombëtarët”, deklaronte Balluku.

Paralajmërimi i Arben Ahmetajt dhe akuzat ndaj Veliajt e Ballukut:

Në intervistën e parë të dhënë nga arratia,
ish-zv.kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se goditja e tij erdhi nga “qendra e Tiranës”.

Duke nënkuptuar kështu Erjon Veliajn dhe Belinda Ballukun, dikur vetëm rival politikë të tij, Ahmetaj tha se në rast se hetohet inceneratori i Tiranës “shqiptarët llahtarisen. Shkon lart fare!”

Ish-zëvëndësi i kryeministrit, tha se Rama e sakrifikoi atë të bëhej ‘kokë turku’ pasi duhej një i tillë për aferën e inceneratorëve.