zoom

Ekonomi

Dështon sërish Bursa e Energjisë, anulohet tenderi për platformën

Tenderi për ngritjen e Platfomës Elektronike të Tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda Ditës apo thënë ndryshe bursa e energjisë nuk është finalizuar me sukses, duke shkaktuar të tjera vonesa në ngritjen e saj. Pas procedurës së parë të hapur të muajin mars, tenderi u rihap në datën 21 qershor, por sërish nuk ka arritur të përfundojë me një operator fitues, pasi është anuluar për shkak se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk është në përputhje me kërkesat e Dokumenteve Standarde të Tenderit.

Kjo do të thotë se ngritja e këtij instrumenti të rëndësishëm do të pasohet me të tjera vonesa, teksa institucionet deklaronin se ajo do të ishte funksionale brenda 3-mujorit të parë të këtij viti. Hapja e tenderit erdhi pas përzgjedhjes së aksionerëve të bursës, ku përfshihen operatorët e sistemit të transmetimit në Shqipëri dhe Kosovë. Ndërkohë që, në dokumentet që shoqëronin tenderin theksohej se volumet e transaksioneve në këtë bursë janë vendimtare për funksionimin e tregjeve të ditës në avancë dhe Brenda ditës.

Ndaj, si rrjedhojë,të 2 vendet janë zotuar të detyrojnë palët dominuese në tregjet e tyre të energjisë elektrike që të tregtojnë pjesë të energjisë së shitur ose të blerë, nëpërmjet bursës. Listimi i prodhuesve të energjisë elektrike, paarshikohet të lehtësojë blerjen e energjisë nga të gjithë bizneset e liberalizur që sigurojnë vetë sasinë e nevojshme të energjisë. Nga ana tjetër, pritet që tregtimi me shumicë i energjisë të ulë çmimin për konsumatorët, ndërsa prodhuesit do të kenë mundësi të shesin e blejnë, duke u bërë pjesë e platformave rajonale të tregtimit të saj.

Fillimisht tregu i ditës në avancë dhe Brenda ditës do të krijohet me minimalisht dy zona kontrolli, që janë Shqipëria dhe Kosova, duke zbatuar në të ardhmen projekte për bashkimin me tregje të tjera potenciale. /Scan