zoom

Ekonomi

Dështon “revolucioni” i BKT-së. Mbyllet platforma e investimeve në bursë

Banka Kombëtare Tregtare ka vendosur të mbyllë platformën e saj të investimeve në Bursë, Smart Invest. Platforma në fjalë dhe informacioni rreth saj tashmë nuk ofrohet më në faqen zyertare të bankës, shkruan Monitor.

BKT nuk e ka konfirmuar mbylljen e platformës, por është shprehur se do të dalë së shpejti me një informacion publik për këtë çështje. Megjithatë, sipas burimeve nga tregu, banka ka njoftuar tashmë klientët e saj aktivë në platformë dhe u ka vendosur një afat për mbylljen e pozicioneve të investimit. Sipas të njëjtave burime, arsyeja për mbylljen e platformës ka të ngjarë të jetë ndërprerja e bashkëpunimit me subjektin që kishte kontraktuar për ofrimin e këtij shërbimi, bankën daneze të investimeve Saxo Bank.

Mbyllja e platformës që u reklamua si inovacion në tregun shqiptar, vjen pas disa lëvizjeve të dyshimta të bankës BKT. Fillimisht, siç Zoom.al ka raportuar, BKT ofroi shërbimin e depozitimit të parave, me një përqindje interesi shumë më të lartë se tregu bankar. Duke qenë se ndryshimi erdhi në një kohë kur Banka e Shqipërisë nuk preku normën e interesit, e as tregu bankar, lëvizja e BKT ngriti dyshime se banka ka mungesë likuiditeti në arkën e saj.

Banka me pronësi turke mori një tjetër goditje, kur pronari i saj Ahmet Çalik, fitoi të drejtën e ndërtimit të një kulle në Tiranë, “Barcelona Tower”. Kjo kullë, për ironi do të ndërtohet në selinë e BKT-së në qendër të Tiranës, pranë “Shtëpisë së Gjetheve”. Sigurisht projekti parashikohet të ketë fitime marramendëse, për Çalik si pronar, por dëmton rëndë reputacionin e bankës tregtare.

BKT, do të jetë aksionere edhe në një tjetër kullë, në bulevardin Zhan D’Ark, mes Kishës Katolike dhe selisë së Partisë Demokratike, buzë Lanës.

BKT e prezantoi zyrtarisht aplikacionin për investime ndërkombëtare Smart Invest në nëntor të vitit 2021, pas licencimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Më herët, ky produkt u ofrohej edhe klientëve të bankës në Kosovë.

Ajo u prezantua si e para platforma bankare në Shqipëri, që u lejonte klientëve investimin në një gamë të gjerë produktesh financiare investuese nga e gjithë bota.

Në prezantimin e produktit, Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT, Seyhan Pencablıgil tha se ai përfaqësonte një revolucion për tregun e financave shqiptare.

Tregu financiar shqiptar ngelet i varfër në produkte financiare të sofistikuara dhe kjo kufizon alternativat e investimit financiar. Tashmë të vetmet institucione financiare të licencuara që mundësojnë, në mënyrë indirekte, investimet në instrumentet e tregjeve të huaja financiare janë fondet e investimit.