zoom

Lajme

Sot mbaron afati, dështon Komisioni i Zgjedhores. Çfarë thanë Çuçi, Alibeaj dhe Mediu

Në fjalën e tij në nisje të seancës së sotme parlamentare, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi tha se mbështet kthimin në normalitet të jetës parlamentare, teksa pohoi dështimin e Komisionit të Zgjedhores.

Në lidhje me mbarimin e mandatit për komisionin e Reformës Zgjedhore, Çuçi tha se nuk do të ketë një produkt përfundimtar, për vetë mënyrën se si ky komision është trajtuar.

“Përgëzoj rikthimin në normalitet të sallës. Siç duket kanë nisur të lexojnë dhe sondazhet. Pavarësisht nga arsyeja që i ka bërë të kthehen në Kuvend, mbetet për t’u përgëzuar një jetë normale parlamentare në Shqipëri, për një vend që pret të bëhet anëtare e BE. Thirrja e zotit Basha ishte e drejtpërdrejtë, e dyta si një deklarim i kapitullimit të komisionit të reformës zgjedhore, nga ana e Aliebeajt. Sot mbaron afati i këtij komisioni dhe për fat të keq po presim produktin e këtij komisioni, por duket nga deklarimet e zotit Alibeaj për mënyrën se si e trajtoi.

Ai tha produkti i këtij komisioni do të ishte dokumenti që kemi dorëzuar në Kuvend. Çfarë komisioni mund të ngrihet në këtë premisë. Pakica vjen me një draft, e dorëzon dhe thotë; këto janë kushtet tona, po të doni merrni, po të doni, lërini. Aty besoj ka rekomandime që nuk i takojnë vetëm parlamentit shqiptar. Ne jemi pro dhe kemi bërë gati dokumentin që emigrantët të votojnë. Ne do të presim përfundimet e këtij komisioni bipartizan”, tha Çuçi.

Kurse deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj e cilësoi skandal faktin që sot është dita e fundit për Reformën Zgjedhore. Ai tha se kjo qeveri duhet të jetë e hapur me qytetarët dhe se nuk i duan listat e hapura.

“Anormaliteti vijon sot kur salla hesht, kur sot është dita e fundit për “Zgjedhoren”. Sot në rend duhet projektligji i depozituar nga opozita, ku është normalitet e sinqeritet. E propozuam. Listat e hapura, votim numërim elektronik, votën e diasporës. Sot të marrin kurajë dhe të votojmë edhe kundër, por t’u flasim shqiptarëve ashtu sic duhet. Të pranojnë që duan të përjashtojnë diasporën nga vota dhe kanë frikë nga shqiptarët. T’i dhurosh edhe një mandat tjetër në tavolinë Edi Ramës në tavolinë…

Heshtja është pazar për të mbrojtur karriget dhe listat e mbyllura. Projektligji është depozituar dhe të futet për procedurë kërkesa për listat e hapura dhe për emigrantët”, tha ai.

Deputeti republikan Fatmir Mediu, tha se është i rëndësishëm kthimi i Kushtetutshmërisë në Parlament. Ai u shpreh se duhet zbatuar marrëveshjen më OSBE, duhet që të kthehet mundësia e kthimit të koalicioneve parazgjedhore.

“Fati i komisionit të zgjedhores u caktua që kur mazhoranca shmangu marrëveshjen me OSBE-në. Fati dihet kur qëndrimet janë të njëanshme dhe politike. Bazuar mbi marrëveshjen me OSBE është të kthehet krijimi i koalicioneve parazgjedhore. Jemi pro listave të hapura e vota e diaspores”, tha ai. /ZOOM.AL/