zoom

Aktualitet

Dëshmia e Tafanit zbuloi kush i vendosi tritolin lokalit të Noizyt

Pasi Artan Tafani u “zbërthye” para organeve të drejtësisë, autoritetet kanë zbardhur edhe kush është autor i vendosjes së tritolit në lokalin dhe dyqanin e babait të reperit Noizy, Bashkim Rajku.

Sipas dëshmisë së Tafanit, pas kësaj ngjarjeje të ndodhur më 8 qershor 2022 fshihet banda e Laert Haxhisë dhe bashkëautor është edhe vetë Artan Tafani. Ai jo vetëm ka pranuar autorësinë për rolin që ka pasur në vendosjen e eksplozivit, por ka treguar edhe emrat e tre bashkëpunëtorëve të tjerë.

Autorët që i vendosën tritol lokalit të Noizyt janë:

-Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë;
-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë;
-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë;
-Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë.

Rreth 100 gr tritol shpërtheu në bizneset e reperit të njohur Rigels Rajku, njohur me emrin e artit “Noizy”. Dëmet materiale në dyqanin e veshjeve dhe lokalin që ndodhen në katin e parë të e të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit ishin të mëdha. Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe ishte ndezur me fitil përcjellës, thanë burimet e policisë.