zoom

Bota

Dëshmia e çuditshme e pilotëve japonezë: Nuk e pamë avionin tjetër në pistë!

Pilotët e avionit të Japan Airlines me 379 persona në bord nuk e panë avionin me të cilin u përplasën, gjatë uljes së tyre në aeroportin Haneda të Tokios, tha një përfaqësues i linjës ajrore për AFP.

“Ne nuk kishim kontakt vizual (me aeroplanin e rojes bregdetare), na thanë pilotët. Ata thonë se pikërisht kur rrotat po preknin tokën, ose ishin gati të prekeshin, ata ndjenë një përplasje”, tha përfaqësues i JAL, kur u pyet për përplasjen që vrau pesë nga gjashtë personat në bordin e Bombardier Dash 8, me të cilin ndodhi përplasja.

“Një nga tre pilotët na tha se ai pa një objekt menjëherë përpara goditjes,” shtoi ai.

Të martën në orën 17:47 (ora lokale, 09:47 me orën tonë), ndërsa nata binte mbi Tokio, fluturimi JAL516, me origjinë nga Sapporo në pjesën veriore të arkipelagut, u përplas në ulje me një avion më të vogël që po përgatitej të ngrihej, për një fluturim për në Gadishullin Noto (Japoni qendrore), ku një tërmet i tmerrshëm kishte goditur zonën të hënën.

Përplasja shkaktoi një shpërthim spektakolar dhe Airbus A350-900 menjëherë mori flakë dhe u ndal disa qindra metra larg në buzë të pistës.

Të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të avionit u evakuuan përpara se ky aeroplan pasagjerësh të shkatërrohej plotësisht nga flakët.

Hetuesit japonezë, francezë, britanikë dhe kanadezë janë mobilizuar për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti. /ZOOM.AL/