zoom

Politikë

Deputetët e Lulzim Bashës si ata të opozitës Murrizi – Gjuzi

Deputetët e Lulzim Bashës i bashkuan votat me ata të Edi Ramës në miratimin e një ligji që synon hapjen e dosjeve t ëish -bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. Në thelb ai është një ligj i bërë me porosi kundër Ilir Metës, kryetarit të Partisë së Lirisë.

Ilir Meta dha këtë përgjigje kur u pyet për 94 votat që mori ligji.

“Kemi të bëjmë me deputetë që nuk kanë më çfarë të humbasin. Nuk kanë elektorat, dinjitet, moral. Besë nuk kanë. Nuk kanë më çfarë të bëjnë më shumë se sa kanë bërë dhe kjo loja e historisë me “IM” është lojë Rama – Basha. Nuk ka fuqi Basha, Basha do përpiqet të prishë punë sa të mundet. Ai është peng i historive të veta. Ata deputetët marrin lekë dhe s’duan fare as politikë aty. Shikoni llogaritë e familjarëve si i kanë pasur para se të ishin në opozitë dhe si i kanë sot. Opozitarë më të sukseshshëm në biznese nuk ka parë historia botërore.”

Deklarata ngjan me një “déjà vu”. I ngjashëm me Ilir Metën sot ishte qëndrimi i opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha dje kur me djegien e mandateve vendin e deputetëve të PD në parlament e zunë Myslim Murrizi, Halit Valteri, Selami Jenisheri apo Kujtim Gjuzi. Sa herë këta deputetë bashkonin votat me Edi Ramën në PD thuhej se ata nuk kishin më ç’të humbisnin, nuk kishin elektorat, nuk përfaqësonin askënd.

Deputetët e Lulzim Bashës gjenden sot në të njëjtat kushte si ata të opozitës Murrizi – Gjuzi. Të ndarë nga PD, thuajse asnjëri prej tyre nuk ka shans të marrë ndonjë mandat. Kështu që, për aq kohë sa do të jenë në parlament do ta shfrytëzojnë votën ose për të dëmtuar PD-në e Berishës ose për të përfituar.

Me ose pa qëllim, Lulzim Basha bëhet kështu i vetmi politikan që arriti të prodhojë dy opozita false në parlament: një të Myslim Murrizit e një të Enkelejd Alibeajt. Por ndryshe nga deputetët e Murrizit, ata të Bashës kanë qenë deri dje në poste drejtues të PD dhe janë votuar nga elektorati i PD. Sa më shpejt ta kuptojnë se qëndrimet e tyre të komanduara po i bëjnë të ngjajnë me opozitën false Murrizi-Gjuzi, aq më shpejt do të shpëtojnë dinjitetin e tyre. /Zoom.al