zoom

Aktualitet

Denoncimi: SPAK zbeh hetimet për Veliajn. Bashkia, gjoba ndërtuesve për llogari të Zotos e Mërtirit

Hetimet e SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, janë zbehur. Denoncimi, që nëse rezulton i vërtetë do të përbënte një skandal, vjen nga një prej gazetareve që e ka denoncuar publikisht Erion Veliajn për kërcënime e shantazh.

Ola Xama deklaroi se përveç faktit se hetimet për pasurinë e Veliajt dhe pastrimin e parave po zbehen, për rastin e aferës së inceneratorit, që përfshin aferën me dherat, SPAK nuk ka dashur të shohë as provat dhe të hetojë. Sipas saj, të dhënat tregojnë lidhje të qarta dhe koordinim të plotë mes Klodian (Mirel) Mërtirit, Klodian Zotos dhe Bashkisë së Tiranës.

“U duk që hetimet e SPAK lidhur me pasurinë e zotit Veliaj ishin intensive që pas kontrolleve të datës 6 dhjetor. Pamë një janar shumë të vrullshëm, ku çdo ditë paraqitej në SPAK një person i lidhur me Veliajn. Shohim se ka një zbehje. Por unë jam kundër hetimit të individit si emër. Jam gjithmonë pro hetimit të veprave korruptive që sjellin dëme kolosale për buxhetin e taksapaguesve” – deklaron gazetarja.

Për inceneratorin, një aferë për të cilën gazetarja ka shkruar edhe më parë (shih rubrikën lajme të Zoom.al) dhe është përplasur me kryebashkiakun Veliaj, Xama thotë se Bashkia e Tiranës është e implikuar në çështjen e dherave. Kjo çështje është denoncuar edhe nga ndërtuesit, të cilët duhet të paguajnë për të depozituar dherat me detyrim në landfillin e Sharrës. Akuza e Xamës se një skuadër e Mërtirit e Zotos bashkëpunonin me bashkinë e Tiranës për të gjobitur ndërtuesit që nuk firmosnin marrëveshjen për dherat, është skandaloze.

“Këtu dua të ndalem te inceneratori. Afera me dherat në Bashkinë e Tiranës, në bashkëpunim me pronarët de jure dhe de facto, Mërtiri dhe Zoto, e implikon kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Sipas burimeve konfidenciale, kam parë dokumenta që e vërtetojnë, ishte ngritur një njësi e posaçme që identifikonte çdo leje ndërtimi dhe çdo gropë pallati që hapej në territorin e Bashkisë së Tiranës. Kur nuk lidhej akt marrëveshje me Integrated Energy, skuadra e Mërtirit dhe Zotos, njoftonin Bashkinë për të shkuar dhe për të gjobitur ndërtuesit. Bëhet fjalë për ndërtues shumë të rëndësishëm që dridheshin para kësaj skuadre që operonte si në një shtet më vete, me çmime të vendosura të dherave sipas interesave të Mërtirit dhe Zotos, me bekimin e Bashkisë së Tiranës. Ajo që implikon më tej Veliajn, është se kompania Igor Electric, merrte tarifa të diferencuara. Çdo gjë ishte e organizuar, të gjitha fijet të çojnë te kryetari i Bashkisë së Tiranës. U bënë katër vjet. Nuk mund të ndodhte pa një koordinim nga lart. SPAK refuzon të shohë provat dhe të hetojë”, deklaroi gazetarja Ola Xama.

Zoom.al ka raportuar më parë se edhe sipas ndërtuesve, Bashkia u ka bërë presion atyre që të pranojnë të dërgojnë dherat në landfillin e Sharrës, kundrejt pagesës. Për çdo ton dhé, ndërtuesit pagujanë 3 euro, një biznes ky që llogaritet të çojë në xhepat e dyshes Zoto – Mërtiri rreth 50 milionë euro në vit. /Zoom.al

 

Postime të lidhura