zoom

Lajme

Denoncimi i Zhupës nga Pogradeci: Driloni dhe zonat turistike po betonizohen me hotele!

Pas një takimi me shoqërinë civile në Pogradec, deputetja Ina Zhupa ka folur për mediat, për kundërshtimin e zonave te mbrojtura.

Ligjvënësja ndër të tjera deklaroi nga Pogradeci, se ligji në fjalë do të betonizonte zonat pranë Liqenit të Ohrit dhe Drilonin.

Më poshtë edhe intervista e dhënë nga deputetja.

Cilat janë problemet që hasen në Pogradec nga ndryshimi i ligjit të zonave të mbrojtura?

Ne zgjodhëm Pogradecin në turin që kam nisur për të kundërshtuar ligjin e zonave të mbrojtura sepse ka një dëm të drejtpërdrejtë, që ndodh në zonën e Pogradecit. Siç e dini, lidhet me Liqenin e Ohrit dhe me Parkun Kombëtar të Drilonit.

Të dyja këto zona preken nga ligji i zonave të mbrojtura, preken nga betonizimi, preken nga procesi i ndërtimit. Aktualisht Unesco ka reaguar për Parkun e Drilonit, duke kërkuar që të ndalen menjëherë punimet që po kryhen nga AADF-ja, duke ndërtuar aty parkingje nëntokësore apo hotele dhe kjo ka rënë në një vesh të shurdhër të qeverisë shqiptare. Me hapjen e derës së këtij ligji do kenë mundësi të ndërtojnë në çdo cep të Pogradecit, pranë Liqenit të Ohrit dhe në Drilon e Tushemisht.

Ku do vazhdojë lëvizja juaj?

Ne do të shkojmë në disa nga qarqet kryesore të Shqipërisë, duke nisur nga qarku i Shkodrës dhe Qarku i Fierit. Do të shkojmë bashkë me ekspertët dhe profesorët, sepse është e rëndësishme të thuhet se që kur bëhet fjalë për këtë ligj, nuk ka të bëjë aspak ndarja partiake.

Ju po flisni për kundërshtim të ligjit, por nuk jeni në Kuvend për ta kundërshtuar?

Është e drejtë, ne nuk kemi qenë pjesë e diskutimeve në grupet parlamentare, për shkak të protestës që po bëhet në Kuvend, por kjo protestë shkon në linjë të drejtë me kërkesën e këtij ligji, se në fund të ditës ne po kërkojmë zbatimin e Kushtetutës dhe nëse nuk zbatohet Kushtetuta për të drejta si pjesëmarrja në komisione hetimore apo Komisioni Zgjedhor, ne nuk kemi pritshmëri që ata të respektojnë Kushtetutën, kur bëhet fjalë për zonat e mbrojtura.

A do të kthehet në normalitet Kuvendi me negociatat e fundit?

Unë besoj se që në fillim të herës e kemi thënë që duam normalitet në Kuvend, që kur kemi nisur protestën e kemi thënë se jemi të gatshëm të kthehemi në normalitet për sa kohë vendos Lindita Nikolla që t’i kthehet të drejtave të opozitës, komisionin e reformës zgjedhore dhe të kthejë komisionet hetimore.

Për mua që nesër, nëse i kthehen ata normalitetit, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë betejën në Kuvend me interpelanca dhe seanca dëgjimore, me të gjitha format qe na jep rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta. /ZOOM.AL/