zoom

Aktualitet

Denoncimi i gazetarit: Policia fsheh vrasjen e pushuesit në Ksamil nga “JetSky”

Gazetari Flamur Vezaj ka bërë një denoncim të fortë ndaj policisë. Në një postim në Facebook ai shkruan se policia ka fshehur vrasjen e një pushuesi nga një “jetSky”.

Sipas tij bëhet fjalë për vdekjen e 38 -vjecarit F.K nga Tirana. Policia tha se ai u gjet i pajetë pranë një masivi shkëmbor, por Vezaj thotë se ai është goditur nga një “JetSky” dhe policia qëllimisht e ka fshehur këtë fakt.

Më poshtë postimi i plotë i gazetarit:

Policia që s’duam, fsheh vrasjen e pushuesit nga “JetSky”
###
Jemi mësuar tashmë që policia fsheh me dashje ngjarje të caktuara ose tenton t’i fshehë ato, duke ndjekur modelin e gënjeshtrës publike të ish-drejtorit të përgjithshëm, Ardi Veliu, për ngjarjen në Elbasan! Kjo “sëmundje” nuk po ndryshon fatkeqësisht edhe sot, edhe me ndryshimin e papritur të ministrit të brendshëm (edhe ky nën hetim nga SPAK, por kjo është një çështje tjetër).
Drejtues të policisë, me qëllim dhe për të sfumuar ngjarjen, shpërndajnë informacion të rremë herë pas here, por edhe pse provohet që po gënjenin, askush nuk mban përgjegjësi! Edhe sot ndodhi e njëjta gjë: policia gënjeu duke fshehur një vrasje me argumentin se kishte “atak kardiak”!
“Sot, më datë 04.08.2024, tek shkëmbinjtë në “Gjirin e Barxhos”, në Ksamil, në një masiv shkëmbor në det, është gjetur i pajetë shtetasi F. K., rreth 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak.” – njoftimi i policisë!
Por e vërteta është ndryshe. 38-vjeçari F.K. nga Tirana është goditur me “jetski” nga shtetasi I. Doda, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë të vdekur në vend! Por, falë disa dëshmitarëve, policia është vënë nën presion (pasi autori I. Doda ka njohje me pushtetarët) dhe tashmë e ka arrestuar, por nuk ka sqaruar opinionin për gënjeshtrën e shpërndarë në media për “atak kardiak” të viktimës nga “JetSky”!
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për mashtrimin, fshehjen e të vërtetës dhe ngjarjen që ndodhi? Përsëri do të harrohet pas tre ditësh, pasi gjykata e reformës së re me ndërmjetësimin e “miqve” në pushtet të autorit do t’i lehtësojë akuzën duke ia faturuar fajin viktimës, si gjithmonë!