zoom

Aktualitet

Dëme të shumta/ Stuhia në Tropojë, 60 fshatra të prekur nga reshjet dhe përmbytjet

48 orë pas stuhisë së pazakontë me reshje të dendura që përfshiu qarkun e Kukësit, kryesisht bashkinë Tropojë, dëmet janë të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore që lidh disa njësi administrative me qytetin e Bajram Currit, konkretisht segmented Sopot-Kam, Bajram Curri-Fierzë, Lekbibaj-Fierzë, Nikaj Mertur-Fierzë, Margegaj-B.Curr.

Dëme të mëdha janë shkaktuar dhe në bujqësi dhe banesa private, ku në 30 prej tyre është dashur dhe evakuimi i banorëve. Menjëherë grupet e emergjencës civile të bashkisë Tropojë të ndihmuar nga ushtria janë angazhuar për normalizimin e situatës e më pas vlerësimin në terren të dëmeve.

Kryebashkiaku i Tropojës Rexhë Byberi shprehet se reshje të tilla nuk ka pasur asnjëherë më parë.

“Tropoja kaloi një situatë mjaft të vështirë, reshjet kanë përfunduar por ka lënë pas pasoja jashtzakonisht të mëdha. Dëme në rrugë, blegtori, bujqësi etj. Bashkia ka nxjerrë grupin e ekspertëve për të parë situatën në terren. Njësia administrative Bytyqi, Lekbibaj dhe Fierza kanë pasur dëme më të shumta. Javës tjetër besoj do të dalim me një evidencë të saktë”-tha ai.

60 fshatra janë prekur nga reshjet dhe përmbytjet, 14 ura janë dëmtuar nga prurjet e shumta të përrenjve dhe lumenjve, 264 km rrugë rurale kërkojnë ndërhyrje totale, ka dëme në blegtori dhe rrjetin elektrik.

Situata e reshjeve në zonat e prekura nga vërshimet e lumenjve dhe përrenjve nuk ka sjellur pasoja me jetë të banorëve apo përmbytje të banesave, aktualisht situata është e qetë.