zoom

Aktualitet

Deklarata bombë në Kongresin amerikan: Fondet e USAID-it financuan nëpërmjet Institutit të Delina Ficos, përndjekjen e Sali Berishës

Nënkomisioni i ngritur nga agjencia e Elon Musk, pjesë e Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Reformimin e Qeverisjes, DOGE diskutoi sot se si u shpërdoruan fondet e USAID-it qindra miliona dollarëshe.

Gjatë seancës që zgjati më shumë se dy orë u përmend edhe Shqipëria.

“Fondacionet e Shoqërisë së Hapur dhe USAID kanë bashkëpunuar gjithashtu në mbështetjen e “East West Management Institute” (Instituti Lindje Perëndim), i cili mori 31.2 milionë dollarë nga USAID në vitin e fundit të plotë fiskal që përfundon më 30 shtator. Instituti nisi ndryshimet gjyqësore në Shqipëri, që kritikët pretendojnë se rezultuan në persekutimin e liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha, duke i mbyllur gojën kundërshtarit të kryeministrit socialist të vendit,”- tha gjatë dëshmisë gazetari Tyler O’Neil i “The Daily Signal”.

Në Institutin Lindje-Perëndim (East-West Institute) drejtoreshë e programit të Shoqërisë Civile është Delina Fico. Ajo është akuzuar ditë më parë edhe nga Sali Berisha për përvetësim të fondeve të USAID-it për të ndikuar reformën në sistemin e drejtësisë dhe për të goditur opozitën.

Në vijim të këtij raportimi, një përfaqësues e DOGE në këtë komitet, shtron pyetjen: “Pse USAID është i përfshirë në financimin e ndryshimeve gjyqësore në Shqipëri, që rezultuan në burgosjen e liderit të opozitës në Shqipëri?”

Administrata e re e Donald Trump ka bllokuar fondet e USAID dhe po kryen një verifikim të të gjitha programeve, ku nga raportimet e deritanishme janë konstatuar shpërdorime të shumta të parave të taksapaguesve amerikanë./ Zoom.al