Aplikacion
Duke folur për “baronin e drogës” Gëzim Çela, Dervishi zbuloi se Çela është personi që ka urdhëruar vrasjen e bankierit Artan Santo në mes të Tiranës.
Gazetari shpjegoi edhe të gjithë historinë e Gëzim Çelës, si u kthye ai në një narkotrafikant dhe në një emër kaq të njohur për autoritetet.
Pjesë nga biseda në studio:
Ferdinand Dervishi: Termin “baron i drogës” Gëzim Çela nuk e ka kot. Ai ka një histori. Gëzim Çela është një ish-polic, duhet të ketë qenë polic edhe në kohën e qeverisë Berisha 1, dhe për një kohë të shkurtër edhe shofer i një shefi Komisariati që vajti në zonën e Kurbinit dhe donte dikë nga policia në vitet 1999-2000 për të krijuar një mbrojtje.
Mendohet se ky person duke qenë në Polici, bënte edhe këtë pjesën tjetër sepse ishte goxha i fuqishëm në këtë periudhë. Aty nga viti 2005 është shkëputur nga policia dhe është marrë me këtë punë që merret. Me kalimin e kohës u bë edhe grosist, merrej me kalimin e drogës drejt Italisë dhe Francës. Unë di që ka një dënim në Itali 11 vjet dhe është kërkuar nga Franca përmes Interpolit.
Historia më e madhe e tij është në vitin 2014, në rastin e drogës në Lazarat dhe është nën rrethin e kuq edhe të DEA-s amerikane dhe e ndjek ngado.
Grida Duma: Po si ka mundësi që jeton?
Ferdinand Dervishi: Sepse jeton në Shqipëri. Në vitin 2014, ndërkohë që ishte e angazhuar me Lazaratin, DEA ndiqte një ngarkesë droge prej 250 kg kokainë dhe vendos që të mos shkarkohet në Durrës, por të shtyhet edhe më tej në Mal të Zi. Aty kapet.
Në këtë histori asokohe ishin të përfshirë edhe kolumbianët. Ata punojnë me garanci. Nëse kokaina kapet, ata kishin lënë garanci në një bankë në Shqipëri 2 milionë dollar që të mos dilnin të humbur shumë. Kjo garanci e lënë pikërisht nga Gëzim Çela.
Pra u kap droga në Mal të Zi, ky iu kthente kolumbianëve garancinë. Meqënse DEA këmbënguli, ai kolumbiani që erdhi për të marrë paratë u kap në Rinas dhe kështu ata pësuan një humbje të dyfishtë: sasinë e drogës dhe paratë e garancisë.
Në këtë moment është goditur prej këtij njeriu një bankier në qendër të Tiranës, vetëm për t’u treguar kolumbianëve që nuk ua kam bërë unë puçin. Nuk janë fajet e mija. Prandaj ky njeri quhet “baron i drogës”.
Dhe në atë kohë ministri Tahiri ka dalë dhe ka thënë publikisht që “kjo ishte një vrasje që duhej të dëgjohej larg”, pra në kolumbi.
Kjo është historia e tij. Mua më rezulton që ky njeri i emëronte vetë shefat e Policisë sa ka qenë në lojë deri tani, përgjithësisht. Sigurisht që nuk e firmoste ky emërimin, por ndërhynte përmes deputetëve të zonës, përmes kryetarëve të bashkive, ndërhyrje të drejtpërdrejtë tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit apo dikush në pushtet.
Të gjithë shefat e komisariateve kanë qenë njerëz që bashkëpunonin me këtë njeri nga halli apo nga malli.
Kush është Gëzim Çela?
Gëzim Çela është i njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore.
Në vitin 2015, Çela akuzohej për trafik ndërkombëtar kokaine.
Në vilën e tij në Fushë Kuqe u gjet një sasi prej 18 kg kokainë.
Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drej Europës Perëndimore, përmes edhe territorit shqiptar.
Gëzim Çela akuzohet për veprat penale “Trafikimit i lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve”, si dhe për shfrytëzim prostitucioni. Ai ka qenë më herët subjekt i “OFL”-së teksa ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë.
Të hënën pasdite forca të shumta policie zbarkuan në Fushë Kuqe dhe rrethuan vilën e resortin e tij luksoz.
SPAK lëshoi një urdhër arresti për të dhe për bashkëpunëtorët e tij: Arben Dalipaj, banues në Vlorë, Roland Guza, banues në Durrës dhe për shefin e komisariatit të policisë së Laçit, Dritan Metaj.
Vrasja e Artan Santos
Artan Santo u vra në 26 qershor të vitit 2014 përpara zyrës së tij të punës në ish-Bllok, në një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit. Pak çaste pasi kryen krimin e rëndë, atentatorët e Santos u larguan me motor, ndërsa policia shoqëroi dhe mori në pyetje mbi 200 persona.
Në vitin 2021 SPAK mori në dorë dosjen e atentatit mafioz ndaj Santos, pasi Prokuroria e Tiranës arriti në përfundimin se ngjarja është vepër e një grupi të strukturuar kriminal.
Pas arritjes në këtë konkluzion Prokuroria e Tiranës ia kaloi dosjen për kompetencë Prokurorisë së Posaçme, ndërkohë që vrasja e bankierit 58 vjeçar, ka mbetur e pazbardhur që prej vitit 2014.
Çfarë të bëjmë me 2024-ën. Një vit i turbullt ka hedhur dritë mbi disa të vërteta të rëndësishme