Aplikacion
Tabaku kërkoi sqarime nga Hasani, mbi përfshirjen, siç e cilësoi ajo të diplomatëve shqiptarë në aktivitete politike.
Tabaku u shpreh se në të paktën 48 raste diplomatët kanë shoqëruar jo vetëm kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm por edhe kryetarë të pushtetit lokal në aktivitete ku për 25 minuta për një aktivitet të tillë është sulmuar opozita.
“Të gjitha kanë qenë aktivitete politike. Blendi Klosi ka qenë prezent si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. Ka një cak që nuk duhet kaluar. Përfaqësuesit e shërbimit diplomatik nuk mund të marrin pjesë në aktivitete partiake, ku marrin pjesë të gjithë zyrtarët më të lartë të PS-së, sepse kalon cakun në momentin kur fillon e flitet 25 minuta për kundërshtarin. Ka 48 raste, edhe me kryetarët e bashkive me aktivitete të tilla”, tha Tabaku.
Nga ana e tij, Hasani u shpreh se “nuk jemi në fushatë elektorale, pasi fushata hapet shumë më vonë”.
“Për asnjë moment nuk ka pasur takim partiak apo politik. Kanë qenë takime të kryeministrit me përfaqësues të diasporës në qytete të rëndësishme nëpër botë”, tha Hasani.
Sipas tij, “nuk është përdorur asnjë logo, flamur apo batutë, por është folur për Shqipërinë, shqiptarët dhe luftën kundër korrupsionit dhe të ardhmen e të mirat që ne po përpiqemi t’i japi qytetarëve”.
“Për asnjë moment nuk është folur për pjesë të programeve partiake. Diplomatët e Republikës së Shqipërisë kanë detyrimin të shoqërojnë kryeministrin e vendit të tyre në aktivitete ku merr pjesë. Ata nuk kanë marrë pjesë aktive, nuk kanë bërë thirrje, nuk kanë mbajtur slogane e flamuj partiakë, por kanë shoqëruar kryeministrin dhe këtë detyrim e kanë sipas ceremonialit të shtetit edhe për liderin e opozitës”, tha Hasani, ndërsa kërkoi të respektohet puna e diplomatëve dhe të mos keqinterpretohet në asnjë moment.
Më tej Hasani raportoi mbi objektivat kryesore të projektbuxhetit 2025 për ministrinë e jashtme.
Sipas tij, buxheti 2025 është rritur me 635 milionë lekë, ose 20 për qind më shumë krahasuar me buxhetin aktual.
“Kjo tregon angazhimin e palëkundur për forcimin e diplomacisë. Në këtë buxhet përfshihet mbështetja për përfaqësitë e reja diplomatike e konsullore, forcimi i marrëveshjeve për asociim-stabilizim me BE-në dhe vendet e rajonit, forcimi lidhjeve me BE-në dhe organizmat ndërkombëtare, si dhe mbështetje për diasporën”, tha Hasani.
Hasani theksoi se për vitin 2025 do të hapen edhe 4 ambasada të reja, konkretisht në Bosnje-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia. Sipas tij, kjo po bëhet në kuadër të forcimit të rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe në avancimin me integrimin në BE.
Lidhur me synimin për integrimin e vendit brenda 2030, ai u shpreh se vitin e ardhshëm do të hapen edhe negociatat për 2 grupkapitujt e tjerë.
“Do hapim ambasada të reja në Bosnje-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia dhe konsullata në disa destinacione strategjike. Duke forcuar rolin e Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Kemi synim arritjen e misionit për 2030-ën për ta çuar vendin në BE, transformimin dhe integrimin, për të hapur 2 grupkapituj të rinj deri në fund të vitit të ardhshëm. Të ndërtojmë imazh të fortë dhe të besueshëm për Shqipërinë dhe ne jemi të angazhuar. Kemi plan të qartë që Shqipëria të realizojë aspiratat europiane”, tha Hasani.