zoom

Stil

Debati i kandidatëve për zv.presidentë, më i qetë se Trump – Biden

Zëvëndës-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence dhe kandidatja demokrate për këtë post, Kamala Harris u treguan më të përmbajtur në debatin e tyre më 7 tetor.

Ata diskutuan për temat që përfshinin pandeminë e koronavirusit dhe kujdesin shëndetësor, ekonominë si dhe politikën e jashtme. Ata shmangën përplasjet të cilat e karakterizuan debatin e javës së kaluar, ndërmjet kandidatëve për president, të nominuarit nga ana e demokratëve, Joe Biden si dhe presidentit, Donald Trump.

Kandidatët për zëvëndës-president e ndërprisnin rrallë njëri-tjetrin, ishin kryesisht të përzemërt, dhe treguan përmbajtje të plotë nga thirrja e njëri-tjetrit me emër.

Moderatorja e debatit, Susan Page, nga USA Today, shpesh duhej të paralajmëronte Pence për të folur më gjatë sesa koha e caktuar.

Debati u hap me pyetjen në lidhje me përgjigjen e administratës Trump ndaj pandemisë, të cilën Pence e mbrojti ndërsa Harris e kritikoi ashpër.

“Populli amerikan ka qenë dëshmitar i dështimit më të madh të çdo administrate presidenciale në historinë e vendit tonë”, tha Harris.

Pandemia ka shkaktuar më shumë se 211,000 vdekje në Shtetet e Bashkuara dhe ka infektuar më shumë se 7.5 milionë njerëz.

Pandemia gjithashtu ka shkaktuar një rritje të mprehtë të papunësisë për shkak të mbylljes së bizneseve dhe kufizimeve që synojnë të parandalojnë përhapjen e koronavirusit.

Pence mbrojti përpjekjet e administratës së Trumpit në luftën kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, duke përmendur vendimin e Trumpit, i cili me këshillën e ekspertëve mjekësorë, në fund të janarit, kufizoi udhëtimet nga epiqendra e pandemisë në Kinë.

“Unë dua që populli amerikan të dijë se që nga dita e parë, presidenti Donald Trump e ka vendosur shëndetësinë në rend të parë në Amerikë”, tha ai.

Menjëherë pas debatit, Trump, shkroi në rrjetin social Twitter: “Mike Pence, fitore e madhe”.

Presidenti është ende duke u shëruar nga COVID-19. Përveç tij, në periudhën e fundit, janë infektuar edhe Zonja e Parë, Melania dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane.

Më 7 tetor, përmes një videoje ai tha se po ndihet mirë dhe për këtë, sipas tij, meritë ka një trajtim me ilaçe eksperimentale.