zoom

Lajme

Debat për të dhënat e qytetarëve në Kuvend/ Përplasen Manja, Tabaku dhe Dule

Projektligji për mbrojtjen e të dhënave personale ishte qendër e nhë debati mes Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule.

Ndryshimet e këtij projektligji nga ai aktual për mbrojtjen e të dhënave sensitive, parashikojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe ndër të tjera edhe sanksione deri në 10 milionë euro për cilindo që posedon këto të dhëna dhe i shpërdoron ato, përfshi kompanitë private apo dhe vetë shtetin.

Manja kërkoi miratimin e ligjit, si një kërkesë të vazhdushme edhe të Komisionit Evropian i cili ka theksuar nevojën për ndryshime në të gjitha progres raportet që nga viti 2018.

Manja u kundërshtua nga demokratja Jorida Tabaku e cila tha se sanksionet janë të larta dhe i kujtoi ministrit kohën përpara zgjedhjeve dhe nëse të dhënat do të përdoren në fushatë.

“Po nëse meraku juaj është mbrojtja e dhënave, çfarë ndodh nëse në fushatë elektorale në zgjedhje ngre të njëjtën databazë me të dhënat publike çfarë masash do të marrë Komisioneri, do t’i vendosë gjobë 10 milionë euro? Ligji nuk duhet të jetë vetëm në letër, por të zbatohet në praktikë”- Tha Tabaku.

Nga ana tjetër Vangjel Dule kërkoi shtyrje për miratimin e ligjit duke argumentuar se nuk është konsultuar.

“Kushdo që gjendet me databaze të qytetarëve vihet para përgjegjësisë ligjore. Po këtu kush u vu para përgjegjësisë. Kush u vë para përgjegjësisë? Të dhënat e qytetarëve ishin në dorën e patronazhistëve të partisë suaj. Ju thoni se do të na anëtarësoni në BE. Ju që Shqipëria fitoi vendin kandidatë në BE në 2014 dhe për arsye gjeopolitike arritët që në 2023 të çelni negociatat.”- tha Dule.

Ndërsa Manja iu përgjigj duke e akuzuar se dule ka bërë pazare me kompani private që posedojnë të dhënat e qytetarëve e të cilat mund të preken nga ky Ligj.

“Nuk e di, ndoshta ju ka thën Agron Shehu dhe mos ka bërë ndonjë aleancë me ty Dule?”- tha Manja.

Postime të lidhura