zoom

Aktualitet

DASH reagon pas thirrjes së Berishës: Sulmi i pajustifikuar ndaj Kim, të mbahet përgjegjësi

TIRANË- Tentativat e Berishës për të veshur kostumin e liderit të Partisë Demokratike, po sfidohen dukshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Yuri Kim, e prerë në qëndrimin e saj, se kryesimi i demokratëve nga një person i padëshiruar përtej oqeanit, do rezultonte në shkëputjen e marrëdhënieve të amerikanëve me selinë blu, reagoi ashpër ndaj tentativës së dhunshme të Berishës për t’i marrë fjalën në Kuvend kreut të komanduar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Por siç duket edhe Berisha nuk bën asnjë hap pas, ndaj sulmeve drejtuar diplomates amerikane.

Ky i fundit, bëri përgjegjëse ambasadoren Kim për problemet që po has në shkallët e gjyqësorit. Madje, shkoi edhe më tej duke i bërë thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit, të mos lejojë ndërhyrjet e ambasadores në proceset gjyqësore dhe pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri.

Kërkesën e Berishës, Top News dhe Gazeta Shqip ia përçoi Departamenit Amerikan të Shtetit. Përgjigjia e mbërritur në redaksi, nga zëdhënësi i departamentit, tregon qartësisht se bashkëjetesa e Berishës me amerikanët është ende shumë larg gjetjes së kompromisit dhe komunikimit dypalësh.

“Sulmet e pajustifikuara ndaj Ambasadores të SHBA në Tiranë, përfaqësueses personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Ata që përfshihen në korrupsion ose minojnë demokracinë duhet dhe do të mbajne përgjegjësi.”- thuhet në përgjigjen e mbërritur pranë redaksisë së Top News.