zoom

Aktualitet

Dan Hutra ka kryer edhe krime të tjera? Autori i masakrimit të 6 grave rimerret në pyetje (DOSJA)

Prokuroria dyshon se autori i masakrës me tre gra të ekzekutuara është i përfshirë edhe në ngjarje të tjera të rënda, por që e ka mohuar.

Autori i vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave në Kamëz, të Tiranë, Dan Hutra, sipas burimeve pranë Policisë së Shtetit, dyshohet se është përfshirë dhe në një ngjarje tjetër kriminale.

“Dan Hutra përveç ngjarjes së rëndë të marsit 2023 ku vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera, rezulton i përfshirë në ngjarje të tjera të rënda, si vrasje”.

Mësohet se Dan Hutra është marrë në pyetje nga një grup prokurorësh dhe oficerë të OPGJ të Policisë së Tiranës. Burimet bëjnë me dije se Dan Hutra nuk ka qenë bashkëpunues me policinë dhe nuk ka pranuar përfshirjen e tij.

Si ndodhi masakra dhe dy dekada me krime të Dan Hutrës

Tri gra humbën jetën mizorisht më 2 mars të këtij viti dhe 3 të tjera u plagosën në tri ngjarje të ndryshme në Tiranë. Duke shënuar ndoshta kështu, ditën me rekordin më të zi të vrasjeve të grave në Shqipëri, të paktën në 30 vitet e fundit. Të tria ngjarjet i lidh i njëjti emër, Dan Hutra, një ish-i dënuar për vrasjen e gruas në 2007.

Vrasja e parë ndodhi në orën 12:30 të mesditës në Kodër Kamëz. Autori i masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur, sipas policisë, është Dan Hutra. Një person me precedentë të shumtë penalë, i cili sapo ishte liruar nga burgu.

Por mesa duket ai nuk kishte reflektuar pas krimeve të rënda që kishte kryer. Pasi u kthye në oborrin e bashkëjetueses së tij të dytë, kreu këtë herë një masakër. Ai vrau në oborrin e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, motrën e kësaj të fundit, Mevlute Hysa, 30 vjeç. Si dhe la të vdekur të fejuarën e vëllait të ish-partneres së tij, Hasime Dafku, po 30 vjeç. Po kështu ai la të plagosur edhe Kujtime Hysën, nënën e ish-bashkëshortes së tij si edhe gruan e tij, Elena Hysa.

Çifti thuhet se jetonin në kryeqytet dhe ishin martuar me mblesëri vetëm 8 muaj para ngjarjes së rëndë. Ngjarja erdhi pas dhunës që ky i fundit ushtronte vazhdimisht ndaj saj.

Dan Hutra që siç theksuam edhe më herët ishte një person me rekorde të pafundme kriminale në familje. Pasi në vitin 2007 ai rezulton se kishte vrarë me thikë, bashkëshorten e tij të parë, ngjarje e ndodhur në Kukës.

Ai goditi 2 herë me thikë në zemër bashkëshorten Dafina Havalja, në atë kohë vetëm 25 vjeçe.

Por ky duket se nuk ishte veprimi i parë i dhunshëm që Dan Hutra kishte kryer brenda familjes. Pasi ai thuhet se para se të martohej me Dafina Havaljan, ai ishte dënuar për heqjen e lirisë së nënës dhe kunatës së tij dhe tentativën për përdhunimin e tyre, krime për të cilat thuhet se kreu vetëm 3 vite heqje lirie. Ndërsa u kthye sërish në qeli në vitin 2007 si vrasës i bashkëshortes së tij të parë, krim të cilin e pranoi edhe para gjykatës.

Ai tha se ishte ai vrasësi i gruas së tij, Dafinës, për të cilën deklaroi se e kishte goditur me thikë pasi ishin grindur dhe se gjithçka e kishte bërë pa vetëdije. Po ndërsa u konsumua krimi i parë në Kodër Kamëz, jo shumë larg vendit të kësaj ngjarje, një tjetër vrasje tronditi këtë herë opinionin publik.
Edhe në këtë rast viktimë u bë një grua.

Ajo rezultoi të jetë Etleva Kurti, e cila u qëllua brenda oborrit të banesës së prindërve në Kamëz. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i cili po vuan dënimin për vrasjen e biznesmenit Agim Buci dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative për grabitjen e një marketi.

Kurti pas masakrës dëshmoi: “Kemi pasur përplasje në burg me të. Ishte tip agresiv. Ai kishte paguar dy tre herë për të vrarë motrën por e kanë refuzuar… ka tentuar të më vrasë edhe mua në burg, edhe motrën time”.

Po ndërsa zhvilloheshin këto ngjarje të njëpasnjëshme, Hutra ka lënë të plagosur edhe të dashurën e tij. Ngjarje ndodhi në zonën e Astirit në kryeqytet. Burime të policisë bëjnë me dije se e reja është paraqitur me plagë thike në spital, ku ka marrë mjekimin e parë.

Ndërsa Dan Hutra u arrestua 6 orë pas arratisë së tij, në zonën e landfillit të Sharrës. Ai tha se mund të kishte vrarë 20 vetë atë ditë, përfshi një bashkëfshatar që e akuzonte si autor të vdekjes së babait dhe dy policët që e gjetën të fshehur pas shkurreve, por preferoi të dorëzohej dhe ta linte misionin për herë tjetër. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura